Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Qatip Osmani do të jetë trajneri i ri i Laçit. “Shkodra Sport” ka mësuar se tekniku 56-vjeçar do të rikthehet në futbollin shqiptar për të drejtuar skuadrën kurbinase, e cila pas rikthimit në Superiore si kampione e Kategorisë së Parë synon të luajë një rol protagonisti në sezonin e ri.
Osmani vjen me një eksperiencë të pasur në pankinë, pasi më herët ka drejtuar skuadra si Struga, Shkëndija e Tetovës, Malisheva, Vllaznia dhe disa ekipe të tjera të njohura në rajon.
Klubi pritet të ndërtojë skuadrën sipas kërkesave të teknikut shqiptaro-maqedonas, ndërsa deri tani janë zyrtarizuar largimet e Mjakit dhe Tresës, me merkaton që pritet të sjellë të tjera lëvizje në ditët në vijim.
Për Osmanin, kjo është eksperienca e dytë në futbollin shqiptar. Ai drejtoi Vllazninë gjatë sezonit 2023/24, por u shkarkua vetëm katër ditë para ndeshjes së “Final Four”, një vendim që në atë kohë shkaktoi shumë polemika. Tashmë, trajneri 56-vjeçar nis një kapitull të ri në pankinën e Laçit, me synimin për ta rikthyer skuadrën mes ekipeve më konkurruese të Superiores.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


