Largimi i portierit Bojan Zogoviç ka bërë që porta e Vllaznisë të jetë bosh, pasi janë vetëm dy të rinjtë Qarri dhe Jukaj. Në këtë mënyrë, sipas burimeve të “Shkodra Sport”, Vllaznia është në kontakte me disa portierë të ndryshëm dhe po tentohet të gjendet një marrëveshje e përbashkët me njërin prej tyre.
Burime brenda klubit kuqeblu pohojnë për “Shkodra Sport” se tre nga emrat më të lakuar së fundmi janë portierët Bekim Rexhepi, Aldo Teqja dhe Livio Malaj. Rexhepi ka luajtur më parë si titullar me Partizanin, ndërsa edhe Teqja ka qenë pjesë e Bylisit si portier i parë. Ndërkohë, Malaj ka qenë së fundmi portier i dytë tek Kastrioti.
Gjithsesi, ardhja e një portieri tjetër nuk do të thotë se mund të fitojë “gradën” e titullarit, sepse një post i tillë fitohet vetëm në sajë të meritave të shfaqura në stërvitje.
Një gjë e tillë ndoshta mund të mos pritet mirë nga ana e Kristi Qarrit, i cili synon që këtë sezon me Vllazninë të luajë si portier i parë. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI