E prisnin ndoshta të rikthehej te Vllaznia, por kjo nuk ndodhi. Megjithatë Thomas Brdariç mund të rikthehet sërish në Shqipëri, por këtë herë tek një skuadër tjetër.

Gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive mëson se për trajnerin gjermano- kroat ka shfaqur interes ekipi i Teutës. Pankina e këtij të fundit ka mbetur bosh pas largimit të Edi Martinit dhe drejtuesit durrsakë ishin vënë në kërkim të zëvendësuesit të tij.

Si rrjedhojë, pikërisht sot pas publikimit të deklaratës së vetë Brdariç se aventura e tij në Indi ka marrë fund, tek Teuta kanë nisur menjëherë punën për të parë mundësinë e uljes së këtij trajneri në pankinën e tyre.

Problemi kryesor padyshim që do të jetë rroga e lartë që tekniku në fjalë mund të kërkojë megjithatë presidenti Hasanbelliu me shumë mundësi ka vendosur të bëjë një sforco financiare, vetëm e vetëm që ta sjellë këtë trajner tek Teuta.

Gjithçka sa i takon mbylljes së kësaj tratative pritet të mbyllet në ditët e ardhshme dhe gjasat janë që Thomas Brdariç pas përvojë te Vllaznia, tani të nisë një tjetër në Shqipëri, këtë herë tek Teuta./SHKODRA-SPORT.COM/