Vllaznia e nisi këtë sezon, duke u dhënë një dorë të madhe të rinjve. I pari, që e mori mundësinë ishte Rejan Alivoda, të cilin Mirel Josa e aktivizoi, por me kalimin e ndeshjeve, talenti shkodran u zbeh dhe nuk arriti të shndërrohet në një element kyç, siç bënte Krymi para pak vitesh.

Megjithatë, pavarësisht së gjithash, i riu mund të quhet i vetmi, që e ka shpërblyer disi besimin në këtë sezon. E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtësin e djathtë, Geralb Smajli.

Nga të gjithë të tjerët nuk kemi parë sinjale, që mund të bëhen të rëndësishëm te Vllaznia, edhe prej faktit se kanë luajtur shumë pak dhe nuk u është dhënë mundësia. Emrat e tjerë si Spahija, Delaj dhe Pjeshka, që cilësoheshin ndër më të mirët për të rinjtë dhe që bënë diferencën për të shpallur kampion Vllazninë U-21, nuk kanë mundur dot të ecin përpara.

Në fakt, ata i kanë dhënë disa shkëndija, por gjithsesi kanë luajtur shumë pak për të dalë në një konkluzion përfundimtar. Me një bilanc kaq të zbehtë, mund të themi se pavarësisht dëshirës për të bërë mirë dhe për të promovuar të rinjtë, fushata e talenteve për Vllazninë nuk ka shkuar siç pritej.

Vetëm Alivoda dhe Smajli nuk mjaftojnë në një sezon të tërë. Gjithsesi, duhet thënë se ky është vetëm viti i parë i një projekti të nisur dhe në sezonin e ardhshëm mund të kemi një ndikim më të madh të të rinjve në skuadrën e parë.
Maringlen ZHIVANI