“Shkodra Sport” publikoi pak më parë një artikull për një mbrojtës të AEL Limassol, që pritet të zbarkojë në Shkodër së shpejti. Kështu, tashmë është mësuar edhe emri i tij dhe bëhet fjalë për mbrojtësin maqedonas Kire Ristevski, i cili pritet të jetë përforcimi i rradhës në merkato për Vllazninë,
Pas firmës me mesfushorin Lorik Boshnjaku dhe mbrojtësin Dajan Shehi, “Shkodra Sport” mëson se tashmë drejtuesit shkodranë kanë arritur marrëveshjen me 31-vjeçarin, që do të udhëtojë nesër ose pasnesër drejt Shkodrës për të firmosur kontratën dhe nisur përgatitjet nën urdhrat e Josës.
Ristevski e mbylli sezonin me AEL Limassol, ndërsa më parë ka veshur edhe fanellën e Kombëtares së Maqedonisë. Megjithatë, për mbrojtësin nuk do të jetë hera e parë që do të luajë në Shqipëri, duke qenë se edhe në të kaluarën ka qenë pjesë Elbasanit, Bylisit dhe Tiranës, saktësisht në sezonet 2010-2011 me Elbasanin, 2011-2013 me Bylis dhe në 2015 me Tiranën.
Gjithashtu, burime të “Shkodra Sport” kanë mësuar se këtë futbollist, shkodranët e kanë parë vitin e kaluar, kur janë ndeshur me AEL Limassol në turin e dytë të Conference League.
Ristevski është një qendërmbrojtës që ka një eksperiencë të madhe, pasi ka luajtur për skuadra të ndryshme në karrierën e tij. Afrimi i tij do të ishte një vlerë e shtuar për kuqeblutë, pasi përveç sigurisë që ofron në mbrojtje ka një eksperiencë të madhe, të cilën do ta vendosë në shërbim të shokëve të skuadrës.
Tashmë në vazhdim, Kire Ristevski do të provojë të kontribuojë për Vllazninë, duke nisur nga ndeshjet e turit të dytë për llogari të Conference League, në të cilën shkodranët janë shortuar përballë rumunëve të Universitatea Craiova, teksa ekipi i drejtuar nga Mirel Josa ka nisur edhe përgatitjet për ndeshjet europiane, me objektiv kryesor kalimin e këtij raundi.
Maringlen ZHIVANI