Burreli i Samuel Nikajt ka fituar dje 3-0 ndaj një rivali direkt siç ishte Korabi dhe protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë një shkodran, Donat Toma. Ai i ka shënuar të tre golat e kësaj përballje duke i dhënë një trepikësh me shumë vlerë matjanëve që kryesojnë me meritë renditjen e kampionatit.

Toma me katër golat e shënuar deri më tani ndodhet në vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë, me një gol më pak se Xhuliano Skuka i Korabit. Sulmuesi shkodran ka qenë protagonisti i padiskutueshëm i ndeshejs së djeshme ndaj dibranëve duke shënuar të tre golat për matjanët në fitoren 3-0 të tyre, fitore me të cilën ata forcojnë pozitat në krye të renditjes.

Duke folur për mediat pas ndeshjes, Donati do të shprehej: “Ndoqëm këshillat e trajnerit dhe të gjithë dhamë maksimumin duke luajtur me shpirt për një qëllim të vetëm, fitoren. Nuk ka shumë rëndësi kush i bëri golat, por fitorja”.

I pyetur se si ndihet pas këtij suksesi që u shoqërua me shënimin e tre golave në një ndeshje, Toma zbulon se kjo është hera e para që shënon kaq gola në një ndeshje me ekip të rriturish. Po ashtu, ai ka folur edhe për situatën në skuadër dhe objektivat që ka Burreli këtë sezon, teksa ka thënë:

“Kjo është hera ime e parë që shënoj tre gola në një ndeshje, si profesionist. Jam i bindur se me këtë grup do të arrijmë objektvin madhor që ka Burreli, Superioren. Këtu askush nuk luan për veten e tij. Bashkëpunimi në grup e bën ekipin të fortë dhe të pathyeshëm.

Nuk ka lojë individuale, të gjithë luajnë për Burrelin. Këtë e kemi treguar që nga fillimi i kampionatit,duke korrur suksese. Stafi teknik është shumë bashkëpunues, ashtu si dhe klubi. Harmoni që përcillet edhe brenda skuadrës. Unë jam i lumtur që po kontribuoj për Burrelin dhe do ta bëj me shpirt e zemër deri sa të jem pjesë e tij.”/SHKODRA-SPORT.COM/