I drejtpërdrejtë, deri diku therës dhe pa doreza. Rudi Vata flet gjithmonë hapur. Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë dhe ish-mbrojtësi i Vllaznisë, në një intervistë ekskluzive dhe të gjatë për “Shkodra Sport” flet për disa nga temat kryesore të Vllaznisë.

Ai thekson se shkodranët nuk mund të ngrihen në nivelin e duhur, duke pasur shumë mangësi. Vata flet për zhvillimet e fundit te Vllaznia, ecurinë e saj në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë, por edhe për largimin e ish-trajnerit gjerman, Thomas Brdariç. Më poshtë, ju ftojmë të lexoni intervistën e tij të plotë dhene per gazeten tone:

Skuadra e Vllaznisë këtë sezon

“Vllaznia e këtij sezonit është ndërtuar për të qenë një skuadër pretendente. Qoftë në fitimin e titullit kampion, qoftë edhe në Kupën e Shqipërisë dhe duke parë edhe investimin që është bërë dhe me rinovimin e trajnerit Brdariç dhe me sjelljen e disa lojtarëve të ri, pra automatikisht, unë kam pasur pritshmërinë që do të shohim një Vllazni në rritje. një Vllazni edhe më të fortë dhe sigurisht edhe më të bukur nga ajo Vllazni e sezonit të kaluar, por mendoj që deri në këto momente, Vllaznia ka bërë lojëra të mira, ka qenë një skuadër kompakte.

Ka qenë një skuadër që në përgjithësi, ka qenë agresive, ka qenë e barabartë ndoshta edhe me më të mirët, por për sa i përket marrjeve të pikëve, absolutisht, ka pasur shumë mangësi. Ka pasur mungesë cilësie në finalizim. Nuk ka pasur agresivitetin e mjaftueshëm në shënimin e golave dhe në fund krejt skuadra mori edhe një lloj goditjet në ekuilibrat, në balanca, qoftë edhe me largimin e trajnerit Brdariç, qoftë edhe me humbjen e fundit me Egnatian, që për mua mendimi im, ka qenë një shpërfytyrim i papritur i skuadrës së Vllaznisë, kundër Egnatias, me një kundërshtar normalisht i vogël në prezencë, me emrin që ka Vllaznia.”

Largimi i trajnerit Brdariç

“Sigurisht që, largimi i trajnerit Brdariç ka qenë një lajm i rëndë në futbollin shqiptar, mund të themi, sepse u largua papritmas një trajner, i cili dashje pa dashje, u bë i suksesshëm në kampionatin shqiptar dhe automatikisht i përket atij dhe stafit të tij merita kryesore, në bashkëpunim sigurisht edhe me presidencën e Vllaznisë. Pra, arritja e atij suksesi, që u arrit sezonin e kaluar dhe asaj përformance të përgjithshme që bëri Vllaznia në kampionatin shqiptar.

Pra, Brdariç u bë një trajner i rëndësishëm. Një trajner i suksesshëm, i cili sigurisht ishte para një prove shumë të rëndësishme, për të sjellur titullin kampion në Shkodër dhe mendoj që pas humbjes me Tiranën, ishte goditja e “knock-down”, pra që i ndau gjërat përfundimisht, që Vllaznia nuk do të ketë më shanse për të pretenduar për kampionatin ose për fitimin e titullit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, mendoj që ka qenë një gabim i madh largimi i Brdariç, sepse skuadra ishte në lojë për të arritur objektivin Europë dhe me largimin e tij, mendoj që janë prishur balanca të rëndësishme në skuadër.

Unë nuk mendoj që Brdariç ka qenë një gjeni i trajningut ose ka qenë një trajner i jashtëzakonshëm me vlera të jashtëzakonshme, por në aspektin organizativ, në aspektin e ndërtimit të skuadrës, sigurisht që ka meritë kryesore, siç ashtu ka vend për të marrë edhe kritikat e duhura, për mosarritjen e objektivave, por uroj dhe shpresoj që Vllaznia pa Brdariç tani të ruajnë qetësinë dhe të ndërtojnë një lloj besimi si grup, si skuadër, në mënyrë që të mos dorëzohen në vazhdimësinë e kompeticionit dhe sigurisht që qëllimi kryesor, duhet të jetë vendi i tretë ose fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Do të jetë e vështirë, por pyetja e vetme është: Si do të reagojnë Vllaznia pas asaj humbjeje shpërfytyruese kundër Egnatias. Mendoj që gjithë ato lojtarë që janë afruar te Vllaznia dhe që paguhen shumë për të përfaqësuar vlerat e futbollit shkodran, mendoj që ato lojtarët duhet të marrin përgjegjësitë kryesore dhe duhet të drejtojnë, të marrin frenat e dorës që ta çojnë Vllazninë drejt suksesit minimal, pra fitimin e Kupës së Shqipërisë ose pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Përndryshe, do të jetë një sezon totalisht i dështuar dhe do kemi një tifozëri totalisht të zhgënjyer dhe një Shkodër që nuk do jetë krenare për Vllazninë e vet.”


Drejtimi i presidencës nga Xhaferi

“Presidenti Xhaferi ka marrë përsipër për të ndërtuar një Vllazni me vlera të forta profesionale dhe sigurisht që është një “lojtar i ri” në futbollin shqiptar. Pra, është një president i ri, i cili mendoj që ka pasionin, ka dëshirën, për të bërë gjëra të mira me Vllazninë. Po në të njëjtën kohë, mendoj që Vllaznia ka nevojë për një plan afatgjatë. Vllaznia ka nevojë për një projekt të sigurt, një projekt të vërtetë. Vllaznia ka nevojë për një investitor të fuqishëm për të mbuluar dhe eleminuar të gjitha gropat dhe të gjitha hallet, që krijohen pra në këtë futbollin e vështirë, në këtë futbollin që nuk prodhon asgjë në aspektin financiar.

Nuk është një ndërmarrje e lehtë për t’u menaxhuar. Pra, kompania e futbollit, kjo Vllazni është një biznes tepër i vështirë, në një futboll, ku luhet shumë pak për të arritur nivele të larta, por çdo gjë bëhet për mbijetesë edhe pse ka dëshirë të madhe, mendoj që mundësitë e çdo presidenti të kampionatit shqiptar, për të dalë me balanca pozitive dhe për të dalë me financa në rregull, janë pothuajse zero. Prandaj, mendoj që presidenti Xhaferi do ta ketë shumë të vështirë menaxhimin e situatave tek Vllaznia, pra, prapë duke qenë në futbollin shqiptar nuk ke rrugë zgjidhje normale dhe nuk ke shumë mundësi për të bërë zgjedhje optimale.

Jam i sigurt që presidenti Xhaferi tashmë është koshient, e kupton se sa e vështirë është për të menaxhuar një skuadër futbollit në Shqipëri. Të menaxhosh një skuadër futbolli në Shqipëri, në mënyrë absolute, duhet të kesh të sigurtë financat. Duhet të kesh një infrastrukturë shumë të mirë për të përballuar çdo situatë që të paraqitet dhe në këto momente, unë e shikoj se si presidenti Xhaferi, si klubi, janë në një situatë tepër të vështirë, por duhet të ruajnë qetësinë dhe duhet të mendojnë si të gjejnë zgjidhjet për të arritur objektivat fillimisht.

Për t’u arritur këto objektiva, sigurisht që janë të arritshme, por duhet një strategji e jashtëzakonshme, sepse tani fillojnë lojërat e vërteta të politikave shqiptare të futbollit. Tani fillon faza më e nxehtë, ku i dobëti, dobësohet dhe i forti, forcohet. Shpresoj që presidenti Xhaferi të jetë forcuar dhe të jetë shumë më i fortë se vjet, në mënyrë që të arrijnë objektivin minimal, pjesëmarrjen në Kupat e Europës.”

Plori trajneri i ri

“Ashtu siç është Plori, ashtu edhe Djarmati, normalisht të dy janë dhe kanë qenë pjesë e rëndësishme e stafit të Vllaznisë. Janë pjesë e asaj arterie, e cila Vllaznia ka funksionuar dhe ka marrë rezultatet e duhura. Po në të njëjtën kohë, tani ato kanë mbetur pa energjinë e trajnerit të parë, Brdariç, e cila është shumë e rëndësishme. Sigurisht që, Plorit do t’i duhet shumë energji dhe shumë punë për të motivuar skuadrën dhe për të ruajtur balancat e skuadrës ose për të rregulluar ato balancat e skuadrës, që janë prishur, sepse janë prishur mjaftueshëm balancat për momentin.

Sigurisht, ndeshja e fundit me Egnatian, në aspektin psikologjik, i ka dhënë një goditje edhe më të fortë, edhe Plorit, edhe Djarmatit, edhe stafit, edhe grupit, por prapë jam me atë që edhe këto djemtë e ri që presin momentin për t’iu dhënë shansi, për të vërtetuar vlerat e tyre. Edhe këto djemtë e ri, që justifikohemi me mungesat që kishte Vllaznia, sigurisht që përformanca e tyre, nuk ka qenë e mjaftueshëm e mirë dhe nuk kanë treguar ose nuk kanë shfrytëzuar momentin për të fituar pozicionin, që ato mendojnë se duhet të kenë në skuadrën e Vllaznisë.

Kur flitet për djem të ri që janë në pritje të mundësisë dhe të shansit pra, siç ishte ndeshja me Egnatian, ishte momenti më ideal për të treguar ato vlera dhe për të vërtetuar që pretendimet që ato kanë, për të qenë pjesë e skuadrës së parë, nuk kanë qenë pretendime të gabuara. Megjithatë, ajo ndeshje vërtetoi që skuadra pavarësisht se flitet për talenta, për lojtarë stolit, që mezi presin momentin, vërtetojnë që këto lojtarë nuk janë të gatshëm dhe nuk janë gati për të përfaqësuar Vllazninë, që Vllaznia të luajë në ato nivela të larta që e ka ambicien për të luajtur dhe për të marrë pjesë.”

E ardhmja e Vllaznisë

“Të ardhmen e Vllaznisë e shikoj të pasigurt, ashtu siç shikoj të ardhmen e çdo klubi shqiptar. Të gjitha klubet shqiptare kanë probleme të mëdhaja financiare dhe sigurisht që pasiguria është e madhe. Jam i sigurt që çdo staf i çdo klubit në çdo qytet të Shqipërisë, jeton me ndjenjën e pasigurisë se çfarë do të sjellin e nesërmja. Edhe futbollistët janë të pasigurt për pagat e tyre. Stafi është i pasigurt, sepse vetë jeta në Shqipëri, është e pasigurt. Asgjë nuk është e sigurt.

E ardhmja e çdo shqiptari nuk është e sigurtë, kështu që është një ndjenjë trishtimi, për diçka që është tepër shqetësuese dhe ka efekt jopozitiv. Ka efekt jopozitiv, por prapë mendoj që Vllaznia, në njërën mënyrë apo tjetrën, do të mbijetojë si Vllazni, por për t’u bërë një Vllazni e fortë kampione, ka shumë punë përpara dhe ka shumë gjëra për të rregulluar dhe duhen akoma njerëz shumë të fuqishëm për të investuar me energjitë e tyre dhe me financat e tyre për të ndërtuar një Vllazni të fortë, një Vllazni pretendente dhe me pak probleme.”

Gjysmëfinalja Partizani-Vllaznia

“Për sa i përket ndeshjes Partizani-Vllaznia, është e sigurtë që të dyja skuadrat, kanë vetëm një qëllim, të dalin në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe për ta fituar atë. Të dyja janë skuadra tradicionale të kampionatit shqiptar, të dyja janë ndër vlerat më të rëndësishme që ka futbolli shqiptar, por në këto situata që ndodhet Shqipëria dhe futbolli sot është që Partizani është skuadra e kryeqytetit.

Partizani menaxhohet nga njerëz të fuqishëm, qoftë në lidhje politike, qoftë në lidhje administrative. Sigurisht që, influenca e Partizanit është shumë e madhe në Tiranë dhe në kampionatin shqiptar dhe Vllaznia duhet të jetë e përgatitur për çdo situatë. Duhet të luftojë shumë më shumë se ka luftuar dhe duhet të jetë e përqëndruar maksimalisht për të përballuar çdo situatë, qoftë të VAR, qoftë të gjyqtarit dhe duhet të jetë shumë më e fortë se ka qenë për të dalë në finale të Kupës së Shqipërisë.

Për këtë dua të them, duhet të jetë një Vllazni totalisht e karikuar dhe e përqëndruar maksimalisht dhe lojtarët kryesorë dhe të mirëpaguar, ku pritshmëritë janë tepër të mëdhaja, duhet të jenë “motori” i skuadrës dhe ta çojnë skuadrën te suksesi. Në fund të fundit, për atë punë kanë ardhur te Vllaznia. Për atë punë, paguhen që ta bëjnë Vllazninë e suksesshme, sepse përndryshe, nuk ke pse paguan lojtarë me shuma të tilla për të mosarritur objektivat minimal”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, shkodrani Rudi Vata.
Maringlen ZHIVANI