I ftuar mbrëmë në rubrikën e Star Sport ishte edhe një nga trajnerët e mirënjohur të moshave në futboll, Ardit Mani. Trajneri i akademisë Shpresa foli për tema të ndryshme të sportit dhe futbolli në veçanti.

Patjetër në komentet e tij gjeti vend edhe Vllaznia, ku Mani cilësoi si thelbësore dy ndeshjet e rradhës të kuqebluve.
Mani u shpreh duke thënë: “Ky pushim që erdhi për shkak të ndeshjeve të kombëtares besoj se ka qenë pozitiv.

Skuadra ka rikuperuar disa elementë të rëndësishëm që kanë munguar në ndeshjet e fundit për shkak dëmtimesh, por edhe është qetësuar në përgjithësi. Kjo për shkak të rezultateve jo edhe aq pozitive në periudhën e fundit.

Them se ndeshja e rradhës kundër Partizanit në kupë është shumë e rëndësishme. Kjo jo vetëm për të qenë në garë për trofe, por edhe për moralin që do kenë futbollistët në vazhdimësi.

Një sukses do ishte shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit. Nuk është se edhe kundër Kastriotit në kampionat do jetë një duel më i lehtë, por kam besimin se Vllaznia do i kalojë me sukses këto sfida”.
Endri ÇINARI