FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREEksperiencë dhe cilësi, Musta “bind” më shumë se të gjithë tek Vllaznia

Eksperiencë dhe cilësi, Musta “bind” më shumë se të gjithë tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Emiljano Musta është një prej afrimeve të kësaj merkatoje verore që ka dhënë më shumë sinjale pozitive në startin e kampionatit për Vllazninë. Mbrojtësi i majtë iu bashkua kuqebluve gjatë verës dhe në dy ndeshjet e para ka arritur të jetë një nga futbollistët që ka rënë më shumë në sy mes të ardhurve të rinj.

Në moshën 35-vjeçare, Musta po tregon se eksperienca mbetet një vlerë e rëndësishme. Edhe pse nuk është më në vitet e para të karrierës, mbrojtësi ka ditur të menaxhojë mirë situatat në fushë, duke u shfaqur i qetë dhe i sigurt në ndërhyrjet e tij. Përvoja e gjatë në futbollin shqiptar i ka dhënë mundësinë të përshtatet shpejt me kërkesat e skuadrës.

Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga specialistët dhe as nga tifozët. Musta është shfaqur si një futbollist që mund t’i japë ekuilibër krahut të majtë, por edhe një dozë qetësie në momente kur skuadra ka nevojë për më shumë siguri. Në këto dy javë të para, ai ka qenë ndër lojtarët më të qëndrueshëm të formacionit kuqeblu.

Një provë e veçantë ishte përballja me Elbasanin, skuadrën ku Musta ka luajtur më parë. Përballë ish-ekipit të tij dhe në një ndeshje me presion të shtuar, 35-vjeçari nuk u ndikua nga rrethanat dhe arriti të zhvillojë një paraqitje të mirë. Ai tregoi përvojën e tij në mënyrën se si u pozicionua dhe si menaxhoi duelet gjatë lojës.

Pikërisht kjo është ajo që Vllaznia ka kërkuar nga një futbollist me eksperiencën e Mustës. Jo vetëm kontribut në aspektin teknik, por edhe qetësi dhe pjekuri në një skuadër që këtë sezon ka bërë disa ndryshime në organikë. Deri tani, mbrojtësi po e justifikon besimin e klubit dhe po shfaqet si një nga afrimet më të goditura të verës.

Kampionati është ende në fillimet e tij dhe Musta ka përpara një sezon të gjatë. Megjithatë, dy ndeshjet e para kanë mjaftuar për të dhënë një sinjal pozitiv. Në një skuadër që ende po kërkon stabilitet dhe vazhdimësi, eksperienca e tij mund të jetë një element i rëndësishëm për Vllazninë në javët në vazhdim.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments