Sportisti Elion Puka i Vllaznisë (mban njëkohësisht edhe postin e trajnerit të këtij ekipi), ka bërë një tjetër paraqitje të mirë. Në takimin ndërkombëtar të zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë, ai ka zënë vendin e parë në peshën 87 kg duke marrë dhe medaljen e artë të dhënë nga organizatorët. Sigurisht që ky është një sukses për taekondonë shkodrane sepse në këtë turne kanë marrë pjesë sportistë nga Mali i Zi, Greqia, Kosova dhe të gjitha ekipet e Shqipërisë. Ai ka mundur në finale një sportist të Kosovës me rezultatin 4-1. Përveç tij në zonën e medaljeve kanë hyrë edhe tre sportistë të tjerë të Vllaznisë. Kështu, Sead Shkreli në peshën 45 kg për kadetë arriti të fitojë një ndeshje të mrekullueshme me një sportist të ekipit të Studentit me rezultatin 6-1 ndërsa në gjysmëfinale humbi me një sportist të Tiranës por gjithsesi zuri vendin e tretë dhe mori medalje bronzi. Të njëjtën medalje ka marrë edhe Samuel Smajli në peshën 59 kg për junior. Ai fitoi 8-6 ndaj një sportisti të Tiranës ndërkohë që humbi në gjysmëfinale dhe prandaj u rendit i treti. I njëjti vend ka shkuar edhe për Besmir Qershinë në peshën 80 kg për senior. Kësisoj ky turne është mbyllur me katër medalje për ekipin e Vllaznisë, 1 ari dhe 3 bronzi. Trajneri-sportist Elion Puka duke folur për gazetën online shkodrasport.com është shprehur: “Jam shumë i knaqur nga sportistët e mi edhe pse ndonjëri nuk arriti të sjellë medalje në Shkodër por shorti i kishte rënë me sportistë me shumë eksperiencë dhe ishte e vështirë fitorja. Megjithatë jemi në rrugë të mbarë dhe kjo është e rëndësishme”.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)