Skuadra e Vllaznisë ka dalë sot fitimtare në “Loro Boriçi”, pasi ka mundur ekipin e Laçit me rezultatin minimal, 1-0. Një 11-metërsh i kthyer në gol nga Elis Bakaj, i katërti për të me këtë skuadër, i ka mjaftuar asaj të marrë një trepikësh me shumë vlerë ndaj Laçit në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme. Me një lojë pa ndonjë shkëlqim të madh, shkodranët janë përkujdesur më shumë për të marrë fitoren dhe në fund natyrisht që i janë gëzuar asaj sepse vazhdimi i kampionatit tashmë do të jetë më i qetë për ta. Ndeshja nis mirë për kuqeblutë të cilët kanë rast të kalojnë në avantazh që në minutën e dytë me anë të Pjeshkës por nuk ia dalin. Edhe Laçi ka rastet e veta, madje ato janë të pastra por portieri Selimaj është në formën e duhur për t’i neutralizuar ato. Pjesa e parë do të mbyllej në barazim pa gola. Në minutën e 10-të të pjesës së dytë, Pjeshka në përpjekje për ta goditur topin drejt portës laçiane, pengohet nga një mbrojtës kundërshtar dhe arbitri Jemini tregon pikën e bardhë të 11-metërshit. Atë e merr përsipër ta gjuajë Bakaj që është  i saktë duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes. Më pas, Laçi mundohet të barazojë por nuk ia del dot. Përfundimisht 1-0 për Vllazninë e cila ngjitet në kuotën e 31 pikëve duke qenë në pozita disi komode në renditje. Për trajnerin Cungu, në këtë takim mbi të gjitha kishte rëndësi marrja e tre pikëve.Javën e ardhshme Vllaznia do të presë sërish në Shkodër ekipin e Teutës dhe është një tjetër mundësi për të vazhduar me serinë e rezultateve pozitive të javëve të fundit dhe për të synuar deri në fund vendin e katërt në renditje.
© shkodrasport.com