Elis Bakaj nuk di të ndalet në Bjellorusi dhe e ka rinisur sezonin aty ku e ka lënë, duke realizuar një dygolësh në Kupën e Bjellorusisë. Skuadra e Shakhter Soligorskut arriti të fitonte me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Belshinës në çerekfinalet e Kupës, ku protagonist ishte edhe sulmuesi shqiptar.

Ai ka arritur të shënojë golin e parë në minutën e 44, kur rezultati ishte 1-0 në favor të skuadrës së tij. Me fillimin e pjesës së dytë Bakaj ka realizuar një tjetër gol në minutën e 59, duke dhënë në këtë mënyrë idenë e një goleade që në fakt ndodhi.

Në minutën e 72, Bakaj ka qenë sërish protagonist në golin e katërt për skuadrën e tij, duke dhënë asistin e golit. Pak minuta para fundit, është shënuar edhe goli i pestë i ndeshjes që ka vulosur edhe fitoren.

Kampionati bjellorus, do të nisë në fund të muajit mars, ku në javën e parë të kampionatit, Shakhteri luan ndaj Torpedo Minskut. /VipSport/