Trajneri i shquar i mundjes së lirë në klubin Vllaznia, i mirënjohuri Eljaz Ahmeti, është nderuar sot me titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit” nga ana e Bashkisë Shkodër. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak teksa të gjithë anëtarët e tij kanë qenë plotësisht dakord që një figurë e tillë sportive të nderohej me një titull të tillë. Ndërkohë, ceremonia për dhënien e këtij titulli, është zhvilluar pasditen e sotme në një nga lokalet pranë pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Kanë marrë pjesë drejtues të sportit, miq e kolegë të këtij mjeshtri por edhe shumë mundës të dalë nga duart e tij. Në emër të Këshillit Bashkiak Shkodër, ka qenë kryetari i këtij këshilli, z. Bardhyl LOhja që i ka dorëzuar titullin “Mirënjohja e Qytetit” për kontributin e tij të shquar në sportin e mundjes fillimisht si sportist, por mbi të gjitha për karrierën e shkëlqyer si trajner në klubin sportiv Vllaznia. Vetë mjeshtri Ahmeti pas marrjes së këtij titulli, është shprehur i emocionuar për vlerësimin e bërë dhe në fjalët e tij ka treguar modestinë e tij duke e ndarë atë me të gjithë mundësit që kanë dhënë kontributin e tyre për klubin Vllaznia në marrjen e rezultateve të larta sportive. Po kush është Eljaz Ahmeti? Ka lindur në Bajzë më 14 qershor 1939 dhe sportin e mundjes e ka nisur pas shkuarjes ushtar teksa me Partizanin ka patur një karrierë të gjatë nga viti 1959-1972. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë kampion i Shqipërisë në vitet 1961-1968, pra për 8 vjet me rradhë. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare duke qenë gjithnjë i suksesshëm. Pas lënies së sportit, fillon karrierën si trajner me të rinjtë e Partizanit por ai nuk mund të qëndronte më larg Shkodrës dhe Vllaznisë. Kthehet dhe merr drejtimin e ekipit të mundjes së lirë të Vllaznisë të cilin e drejton nga viti 1973 deri më 1990. 17 vjet trajner, duke dhuruar suksesshme të njëpasnjëshme. Nën drejtimin e tij, ky ekip ka marrë plot 14 trofe dhe pikërisht 7 tituj kampion, 6 Kupa Republike si dhe finalet e Spartakiadës Kombëtare të vitit 1984. Nga duart e Eljaz Ahmetit kanë dalë 42 sportistë që janë shpallur kampionë kombëtarë, kanë dalë 12 Mjeshtra Sporti dhe 6 Mjeshtra të Merituar Sporti. Emrat flasin vetë, duke filluar nga kampioni i parë i mundjes së lirë Tasim Rexha, për të vazhduar me Dedë Bregun, Rrok Bardelin, Tonin Demën, Agustin Mhillin, Luigj Zefin, Isa Vejukën, Hysen Vejukën, Fran Topallin, Alfred Bardelin, Artur Sukajn, Ludovik Vatën, Kolec Lisin, Selaundin Rexhën etj. Pikërisht, vetëm përmendja e këtyre emrave, e kaq shumë trofeve që ka fituar ekipi i Vllaznisë në mundjen e lirë, në vitet që ai drejtohej nga Eljaz Ahmeti, e kanë bërë atë të NDERUAR. Dhe jo vetëm me titullin e dhënë sot. Eljaz Ahmeti e ka patur dhe do ta ketë “MIRENJOHJEN” e të gjithë shkodranëve për atë çfarë ka dhënë për Vllazninë.

Gjergj KOLA

Mjeshtri i mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare, Eljaz Ahmeti duke marre titullin “Mirenjohja e Qytetit” nga kryetari i Keshillit Bashkiak Shkoder, z. Bardhyl Lohja.

foto: Gjon GJEKA