Elseid Hysaj është gjithmonë e më shumë pranë Atletikos së Madridit. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare rikthehet sërish në skenë dhe shihet si favoriti për të veshur fanellën bardhekuqe për sezonin e ardhshëm.

Pasi Barcelona refuzoi bisedimet për shitjen e Semedos drejt Atletikos, klubi madrilen ka nisur sërish kontaktet me Napolin. Prej javësh ka pasur bisedime për kalimin e Hysajt nga Italia drejt Spanjës, por Atletiko nuk ka dashur të kalojë shifrën 20 milionë euro për kartonin e mbrojtësit kuqezi, i cili nuk është pjesë e planeve të Ançelotit.

Shumë drejtues të Napolit ndodhen në Madrid gjatë këtyre ditëve për të mbyllur transferimin e Hames Rodrigezit dhe kanë përfituar nga ky moment për të takuar nga afër edhe Atletikon për Hysajn. Sipas “La Repubblica”, bisedimet po shkojnë shumë mirë dhe transferimi i mbrojtësit shqiptar tek Atletiko e Madridit është shumë pranë.

Kalimi i shkodranit në radhët e “Los Kolçoneros” konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e tij, pasi spanjollët janë një nga klubet më të mëdha në Europë. Në vitet e fundit rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme.

Mediat italiane dhe ato spanjolle nuk zbulojnë shumë detaje në lidhje me këtë transferim. Kjo marrëveshje mund të mbyllet për 20-25 milionë euro, pasi Diego Simeone e kërkon me ngulm një mbrojtës të djathtë. Huanfran u largua, ndërsa Arias nuk ofron garanci.

Për më tepër, “Çolo” e vlerëson shumë shqiptarin për faktin që mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes. Hysaj gjithashtu po e pret me padurim aventurën e tij të re dhe kërkon që të jetë sërish protagonist, pasi te Napoli nuk u aktivizua aq sa duhet në sezonin e parë të Ançelotit.

Atletiko është duke bërë investime serioze për këtë vit, edhe pse do ta ketë shumë të vështirë pasi Barcelona dhe Reali i Madridit kanë vendosur të transferojnë yjet e Europës për të arritur objektivat si në La Liga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.