Elseid Hysaj mendon se futbollistët e përfaqësueses duhet të punojnë për të rregulluar çështjen e golave të pësuar në minutat e fundit. Mbrojtësi i kuqezinjve theksoi se skuadra e meritonte barazimin ndaj Spanjës dhe vetëm shpërqendrimi i zakonshëm tashmë ia hoqi nga duart këtë rezultat historik, siç tregoi për “SuperSport”.
“Në të vërtetë është pak trishtim se e meritonim barazimin 1-1. Por siç ndodh në futboll, mjafton një sekondë mos përqendrimi dhe pëson si ne. Aty duhet të kontrollojmë dhe flasim se është gjynah që të pësojmë gol kështu me Spanjën në minutat e fundit.
Normalisht duhet edhe ne të sistemojmë këtë punën e minutave të fundit se duhet të vendosim eksperiencën që kemi dhe të jemi pak më të përqendruar. Se një rezultat 1-1 do të ishte historik dhe gjithë çunat e meritonin. Duhet të punojmë që nesër, që në minutat e fundit të jemi më të përqendruar.
Paraqitja ime nuk ishte e keqe se kisha një sulmues para që duhej mbrojtur më shumë. Si të gjithë, jam i kënaqur me të gjithë si për veten se kemi luftuar dhe kemi treguar se mund të rezistojmë kundër skuadrave të forta”, tha Hysaj.