Dje në mëngjes me orën e Argjentinës (në mesnatë me orën e Tiranës), pas një udhëtimi të gjatë, Ekipi Olimpik Rinor Shqiptar mbërriti në Fshatin Olimpik në Buenos Aires, ku kanë mbërritur tashmë edhe shumë ekipe të vendeve të tjera. Sapo kuqezinjtë mbërritën atje, Shefi i Misionit, Kliton Muça, përfundoi regjistrimin dhe akreditimin pranë Komiteti Organizator të Olimpiadës Rinore “Buenos Aires2018 si dhe mori kontakt me zyren e IOC.

Gjithashtu, sipas informacionit që ka përcjellë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, pa humbur kohë, trajnerët u pajisën me informacionin e duhur të orareve të stërvitjes, të garave dhe takimeve zyrtare të trajnerëve e të tjera.

Sot trajnerët do inspektojnë mjediset e stërvitjes dhe nesër në mëngjes, sportistet do të vijojnë stërvitjet e tyre normalisht, natyrisht, duke u munduar të përshtaten sa më shpejt me diferencën prej disa orësh të kontinentit amerikanolatin.

Siç dihet Shqipëria do të marrë pjesë në këto Lojëra Olimpike Rinore për të tretin edicion radhazi, pas atij të vitit 2010 dhe 2014. Dhe në “Buenos Aires 2018” delegacioni kuqezi do të përbëhet nga 5 sportistë. Në peshëngritje, 17-vjeçari Antonino Luli do të garojë në kategorinë e peshës trupore deri në 62 kg, ndërsa në atletikë, Relaksa Dauti, do të garojë në disiplinën e 800 metrave. Në boks, Shqipëria do të përfaqësohet nga dy sportistë.

Ata janë nënkampionia e Evropës për të reja, shkodrani 18-vjeçare Elisidita Selaj, e cila do të garon në kategorinë e peshës trupore deri në 75 kg, dhe nga 18-vjeçari Muhamet Qamili, medalist i bronztë i Evropës për të rinj, i cili do të garojë në kategorinë e peshës trupore deri në 62 kg. Keta dy sportiste do te drejtohen nga trajneri shkodran Jetmir Kuçi.

Pjesëtarja e 5-të e delegacionit kuqezi në këto Lojëra Olimpike Rinore, është notarja 15-vjeçarja shqiptaro-amerikane, Kejti Rok, e cila do të garojë në 200 flutur dhe 400 m stil i lirë.