Elvin Beqiri “skanon” Tërbunin. Pasi u mbyll faza e parë dhe kanë kaluar disa ditë nga ndeshja e fundit, trajneri e ka më të thjeshtë që të bëjë bilancin. Është i kënaqur me ecurinë, por evidenton mangësitë në vijën e parë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, komenton edhe merkaton dhe planet që kanë në janar.

“Jam i kënaqur me fazën e parë në kompleks, por jo me ndeshjen e fundit. Me Korabin e pësuam për dy minuta. Nuk e prisja ta lëshonim ashtu lojën. Deri në minutën e 80-të ishim të barabartë me Korabin. E dinim që ishte një fushë e vështirë, por çaluam në vijën e parë.

Sulmuesit ishin shumë të rezervuar para portës kundërshtare. Ndërsa mbrojtja mendoj se ka qenë më e mira në Kategorinë e Parë. Gjatë kësaj faze kemi pësuar vetëm dy humbje. Kemi pësuar gjithsej 6 gola dhe kemi shënuar 9 të tillë, kemi marrë 8 barazime dhe 5 fitore.

Merkato? Do të afrojmë 5 lojtarë cilësorë gjatë merkatos së janarit. Kjo do të jetë në shërbim të arritjes së objektivit sezonal. Afrimet do të jenë nga superiorja por dhe nga tregu i huaj. Në 5 janar do të rifillojmë seancat stërvitore të vlefshme për fazen e dytë të kampionatit. Këtë fazë e shoh se do të jetë më e vështirë se e para.

Të gjitha ekipet pretendojnë të ngjiten në elitë. Falenderoj presidentin Gjon Gjonaj për mbështetjen dhe kontributin financiar që ka dhënë për ekipin. Falenderues i jam dhe gjithë tifozërisë pukjane për mbështetjen që na kanë dhënë kudo ku kemi qene janë me të vërtet të veçantë.