Ndodh edhe kështu. Luan një sezon nga fillimi e deri në fund dhe ndonëse nuk humbet asnjë ndeshje dhe kryeson me meritë thuajse të gjithë kampionatin, sërish këto gjëra nuk mjaftojnë për të ngritur në fund kupën si ekipi kampion. I ka ndodhur një gjë e tillë ekipit “Djelmnia Shkodrane” U15.
Nën drejtimin e trajnerit Suad Prençi ky ekip ka patur një ecuri shumë të mirë dhe ka kryesuar për javë e javë me rradhë kampionatin sepse i kishte mundur të gjithë rivalët. Por pak para fundit, në një ditë ku luhej një përballje e rëndësishme me skuadrën e vendit të dytë, drejtuesit e “Djelmnisë” i kërkojnë organizatorëve të garës shtyrjen e ndeshjes sepse një pjesë e konsiderueshme e sportistëve nuk ishin të disponueshëm ngaqë ishin në eskursion me shkollën.
Ndeshja nuk u shty dhe stafi teknik i ekipit, për të plotësuar numrin e duhur të lojtarëve, marrin një futbollist nga ekipi U14- B i Akademisë së tyre, thjesht për të plotësuar. Me të në fushë, “Djelmnia” nuk u mund sërish, por u mund në tavolinë sepse Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ia dha ndeshjen në tavolinë ekipit kundërshtar dhe këtu mbaroi gjithçka sa i takon titullit kampion.

Kuptohet që stafi dhe futbollistët e “Djelmnia shkodrane” kanë qenë të detyruar ta pranojnë një vendim të tillë, por në fakt është absurde ta humbasësh titullin pa humbur asnjë ndeshje në fushën e lojës. Ky është një tregues i forcës që kishte ky ekip, përbërjes me lojtarë cilësorë, por edhe me punën e mirë të bërë nga stafi teknik.
Edhe në ndeshjet e “Shkodra Summer Cup”, Djelmnia Shkodrane U15 u paraqit shumë mirë duke fituar ndeshjet me Besëlidhjen dhe Atletik dhe humbi vetëm në finale ndaj një ekipi si Vllaznia që merr pjesë në kampionatin profesionist.
Padyshim të gjitha këto çfarë shkruan për këtë ekip tregojnë se kemi të bëjmë me futbollistë që premtojnë për të nesërmen dhe kjo vlen më shumë sesa një kupë e çuar lart. Megjithatë ata nuk duhet ta mbajnë mendjen tek titulli i humbur sepse duke punuar fort në stërvitje, shumë kupa të tjera kanë për të fituar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



