Elvin Beqiri u thotë “stop” barazimeve. Trajneri nuk krenohet me rekordin, pasi më shumë i dhimbsen ato 20 pikë që janë lënë rrugës. E megjithatë, nuk dorëzohet dhe Tërbunin e sheh në katërshen e parë të renditjes. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani flet edhe për merkaton. Vlerëson afrimet e bëra deri më tani, por qartëson se ende nuk janë në formën optimale. Ka edhe “pengje”, ndërsa rrëfen se nuk i kanë ardhur disa lojtarë të tjerë në plan.

“Kemi ndryshuar mes dy fazave. Janë larguar shumë lojtarë, por i kemi zëvendësuar me të tjerë. Emra si Skënder Lilaj, Jurgen Peqini e Alsid Tafili kanë cilësi pa dyshim, por që ende nuk kanë ardhur në formën e tyre më të mirë. Do t’u duhet edhe pak kohë për t’u përshtatur me grupin dhe fituar gjendjen fizik.

Nga merkatoja kam pengje, madje jam edhe i zhgënjyer. Ishim në kontakte me disa të huaj, por nuk i morëm dot. Nuk erdhën për arsye dokumentesh… Shumëkush e quan ‘rekord’ pjesën e barazimeve, pasi janë 10 ndeshje që nuk jemi mundur. Por unë e shoh ndryshe, e përkthej me 20 pikë të lëna rrugës. Për këtë motiv, kam një kërkesë për lojtarët.

Pres që të jenë sa më të përqendruar gjatë seancave stërvitore dhe të harrojnë dy ndeshjet e para të vitit, ku nuk kemi marrë më shumë se dy pikë. Këtë të shtunë shkojmë në Vorë dhe dua të japin maksimumin dhe të mos bëjnë më hapa falsë. Kundërshtari është përforcuar, ndaj ne nuk duhet ta neglizhojmë në asnjë moment.

Vora të nxjerr probleme dhe sidomos në fushën e vet. Megjithëse nuk kemi pësuar, nuk shënojmë shumë. Sulmuesit të jenë të vëmendshëm para portës kundërshtare, pasi po tregohen shumë të kursyer.

Nëse arrijmë të marrim fitoren ndaj Vorës, do të çlirohemi psikoligjikisht. Jemi borxhlinj para tifozërisë sonë, së cilës duhet t’i kthejmë buzëqeshjen me pikë të plota.

Ata janë mbështetësit tanë më të mëdhenj brenda dhe jashtë fushës sonë. Objektivi ynë është pozicionimi në vendin e katërt. Le të shpresojmë të arrijmë aty ku duam me punë dhe kujdes”, tha Beqiri.