Vllaznia do udhëtojë drejt Laçit në fundjavë për tu ndeshur me vendasit. Duel që është i vlefshëm për javën e 19-të të kampionatit dhe pritet të jetë një sfidë shumë e luftuar mes dy skuadrave.

Ekipi bardhezi po kalon një formë të shkëlqyer dhe kundër kuqebluve patjetër do jenë një pengesë reale për tu kaluar.

Emra si: Mazrekaj, Guindo, Malota apo Deliu priten të jenë protagonistë në duelin kundër shkodranëve. Por një tjetër emër që do jetë në vëmendjen e mbrojtësve shkodranë do jetë Dejan Zarubica.

Sulmuesi malazez i kurbinasve është një nga pikat e forta të formacionit të Joses. Një prej atyre që ka qenë protagonistë edhe me golat e tij.

Madje debutimi i 28-vjeçarit në futbollin tonë erdhi pikërisht kundër Vllaznisë. Një debutim që do mbahet mend nga ish-futbollisti i Budocnostit pasi në atë takim të humbur në shifrat 3-5 nga Laçi, Zarubica arriti të shënonte 2 gola kundër shkodranëve. Patjetër duke treguar cilësitë dhe aftësitë e tij golashënuese.

Deri më tani në kampionati, malazezi ka shënuar 6 gola. Pavarësisht se ai për momentin po kalon një moment krize sepse nuk shënon prej 5 ndeshjesh rradhazi. Zarubica pritet të jetë një kërcënim serioz për Vllazninë dhe patjetër do ketë një vëmendje të veçantë ndaj tij.

Endri ÇINARI