Që prej mesit të muajit gusht, Elvin Beqiri mban postin e zëvendëstrajnerit të ekipit të Vllaznisë. Ka qenë kërkesa e vetë
trajnerit të parë Hasan Lika, ajo që është miratuar nga drejtuesit e klubit, por gjithashtu është mirëpritur nga vetë ish-mbrojtësi i
kombëtares.

Madje Beqiri është shprehur shumë i kënaqur që po punon me një trajner me shumë eksperiencë prej të cilit ke se çfarë mëson. “E kam pritur me shumë kënaqësi ofertën për të punuar në stafin e profesor Hasanit.

Me të kam punuar edhe më përpara, por atëherë kur kam qenë sportist sepse e kam patur trajner edhe tek Vllaznia por edhe tek kombëtarja Shpresa.

Këtë herë po punoj në rolin e trajnerit dhe jam shumë i kënaqur për këtë gjë sepse si trajner i ri që jam, kam se çfarë të mësoj prej tij.

Ai ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në drejtimin e shumë ekipeve shqiptare por edhe atyre kombëtare ndërkohë që ka edhe vlera si pedagog ngaqë ka punuar edhe në shkollë si i tillë.

Besoj se është njeriu i duhur për ta ngjitur Vllazninë në Superligë dhe deri tani gjërat po shkojnë mirë”- është shprehur Beqiri gjatë emisionit “Sport show” ku ai ka qenë i ftuar.
© shkodrasport.com