Mbrojtësi I njohur shkodran Elvin Beqiri mund të jetë blerja e madhe e Vllaznisë në këtë merkato vere. Lojtari aktualisht është pa skuadër ngaqë ka prishur kontratën ekzistuese me skuadrën e Khazarit dhe po prêt ndonjë mundësi tjetër. Zgjedhja e parë për të duket se do jetë sërish në Azerbajxhan teksa ka ndonjë sinjal që atje por nuk do presë gjatë. Deri në gjysmën e korrikut. Nëse nuk bëhet gjë atje, do të firmosë me Vllazninë. E ka thënë vetë ai teksa pohon që mbrëmjen e së hënës ka patur një takim me drejtuesit e klubit shkodran. Të gjitha këto, Beqiri I ka rrëfyer në intervistën e tij për gazetën online “shkodrasport.com”:

-Beqiri, kemi sinjale që jeni kthyer në Shkodër, e vërtetë kjo?
-Po kam mbërritur dy ditë më parë. Gjërat nuk shkuan mirë me skuadrën time në Azerbajxhan dhe tashmë jam futbollist I lirë.
-Që do të thotë se e keni mbyllur kontratën para kohe me ekipin e Khazarit?
-Po, ndodhën disa gjëra aty dhe unë nuk kisha dëshirë të vazhdoja më të qëndroja aty. Hoqa dorë edhe nga luajtja në Kupat e Europës me këtë ekip ngaqë siç dihet si nënkampion I Azerbajxhanit merr pjesë në Ligën e Europës.
-Por ndërkohë, sot në mediat shqiptare ka qarkulluar lajmi se mund të luani sërish në Kupat e Europës me Khazarin….
-Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes. Siç ju thashë, unë tashmë kam ndërprerë çdo marëdhënie me këtë klub dhe prandaj ndodhem në Shkodër.
-Kemi mësuar ndërkohë që mbrëmjen e së hënës keni patur një takim me drejtuesit e Vllaznisë. Sa e vërtetë është kjo?
-Plotësisht e vërtetë. Jemi takuar dhe kemi biseduar gjerë e gjatë me to. Drejtuesit e Vllaznisë kanë shprehur dëshirën të më kenë në skuadër për sezonin e ri. Ma kanë bërë këtë ofertë përmes telefonit pa ardhur ende në Shqipëri, ndërsa këtë herë biseduam edhe gojarisht. Nuk kemi vendosur ende asgjë pasi do bisedojmë sërish në ditët e ardhshme.
-Ka ndonjë pengesë në këtë mes që nuk ju lejon juve të visheni kuqeblu?
-Pengesa e vetme është pritja që kam për ndonjë ofertë më të mirë nga Azerbajxhani. Kam patur ndonjë sinjal nga atje gjatë këtyre ditëve dhe kjo më bën të jem I pavendosur. Por nëse nuk ka një përgjigje positive prej atje, natyrisht që do bëhem pjesë e Vllaznisë. Në kampionatin shqiptar unë nuk kam ndër mend të shoh për ndonjë skuadër tjetër. Jam shkodran dhe më mirë se në shtëpinë time nuk ka se ku të ndjehem tjetër.
-Kur do marrë fund kjo dilemë?
-Unë u kam kërkuar drejtuesve të Vllaznisë të më presin deri më 15 korrik. Atë ditë, nëse nuk ka ndonjë gjë konkrete nga Azerbajxhani, do të firmosë me Vllazninë. Kam patur edhe një bisedë telefonike me trajnerin Duro dhe ai ma ka bërë të ditur se më dëshiron në skuadër. Po ashtu, është kënaqësi të luash për tifozët kuqeblu dhe për këtë arsye, ndonëse është kohë merkatoje, nuk do pres gjatë. Deri në mesin e muajit do mbyll gjithçka me njërën skuadër dhe do filloj stërvitjen. Me shumë mundësi kjo skuadër do jetë Vllaznia sepse ka ardhur ndoshta momenti  të kthehem në shtëpi.
Gjergj KOLA