Për vetëm 7-8 ditë gjendja e tapetit të stadiumit “Loro Boriçi” do të jetë krejt tjetër. Fara e re që është hedhur ditën e djeshme është shoqëruar edhe me hedhjen e plot 45 meter kub rërë e cila shërben për ta mbajtur mirë farën në mënyrë që ajo të mbijë sa më shpejt. Për këtë arsye, shpresat janë të mëdha që vetëm pas një jave, ngjyra e gjelbër e barit të dominojë në fushë sepse do mbijë bari i ri. Punimet që kanë zgjatur për dy ditë me rradhë, kanë mbaruar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ato i ka ndjekur nga afër edhe përfaqësuesi i firmës greke që ka shtruar tapetin dhe nga sa bëhet e ditur, tashmë të gjithë janë të mendimit se gjërat do jenë krejt ndryshe pas punimeve të bëra së fundi.
Pas hedhjes së farës, imputeve të tjera bujqësore si dhe sasisë së madhe të rërës, është bërë edhe lagia e tapetit dhe tashmë çdo gjë duket në rregull. Edhe përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit duken të kënaqur me punimet e bëra dhe shpresat janë që tani e tutje, të mos ketë më probleme me fushën, aq sa spanjollët e konsideruan atë “fushë patatesh”. Ajo që u vërtetua është se punimet e bëra dy ditët e fundit, duhej të ishin bërë në janar por atëherë u anashkaluan me idenë e përfundimit sa më të shpejtë të punimeve, për të mos thënë edhe të abuzimit. Gjithsesi ndërhyrja e tanishme e Federatës ka detyruar firmën që të punojë për rikthimin e fushës në gjendjen e saj më të mirë.
© shkodrasport.com