Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka nisur me humbje kampionatin e ri. Në ndeshjen e parë, atë të luajtur pasditen e së premtes në sallën sportive “Fahrije Hoti” të kryeqytetit, ajo ka patur përballë ekipin që kërkon t’i rrëmbejë titullin kampion këtë sezon, atë të Tiranës që ka bërë një merkato të fuqishme sivjet duke marrë në rradhët e saj disa futbollistë të huaj por edhe të tjerë të talentuar të kampionatit shqiptar. Përballë bardhebluve, basketbollistët shkodranë janë munduar të bëjnë më të mirën dhe ndonëse janë mundur, duhet pranuar se kanë bërë një paraqitje të mirë.

Duhet thënë se trajneri Gjeçaj nuk ka patur në dispozicion dy prej titullarëve të formacionit, Faslinë dhe Arrën të cilët janë të dëmtuar dhe ende nuk janë rikuperuar. Ndeshja nis mirë dhe pavarësisht presionit të vendasve, perioda e parë do te mbyllej vetëm me 4 pikë epërsi për ta, 19-15. Edhe e dyta ka të njëjtën tabllo dhe sërish është Tirana që e fiton edhe atë me rezultatin 21-16. Gjysma e ndeshjes në këtë mënyrë do të mbyllej me 9 pikë epërsi për vendasit, që e fitojnë atë me shifrat 40-31. Basketbollistët shkodranë luajnë mirë edhe në periodën e tretë e cila mbyllet në barazim 19-19, çka e linte të hapur fatin e ndeshjes deri në fund. Megjithatë perioda e katërt nuk do të ishte e mirë dhe janë vendasit që fitojnë 23-15 duke e mbyllur krejt takimin me rezultatin 82-65. Vllaznia në këtë mënyrë e ka nisur me humbje kampionatin dhe sigurisht që do të jetë shumë e vështirë ruajtja e titullit kampion për të katërtin vit me rradhë, nisur nga përforcimet që kanë bërë ekipet e tjera dhe sidomos Tirana, megjithatë vazhdimi i kampionatit pritet të dhurojë lojëra të mira dhe natyrisht që me ndonjë përforcim të mundshëm në janar, do të futet në mes ekipeve që do të synojnë titullin kampion këtë sezon.
© shkodrasport.com