Vllaznia në basketboll për femra ka gabuar në sekondat e fundit të lojës duke mos arritur dt të fitojë ndaj Tiranës në ndeshjen e parë të kampionatit. Ndonëse vajzat shkodrane kanë udhëhequr deri pak sekonda para fundit të takimit, në fund janë miket nga kryeqyteti që kanë triumfuar duke e nisur me fitore kampionatin e ri.Loja ndonëse e një niveli përgjithësisht të dobët, ka patur rivalitet. Vajzat shkodrane kanë bërë një paraqitje të mirë dhe e kanë mbyllur gjysmën e parë të takimit në favorin e tyre me 4 pikë epërsi. Kjo distancë ka ardhur herë duke u rritur, herë duke u zvogëluar dhe kjo situatë ka vazhduar deri në sekondat e fundit të lojës.

Vllaznia një minutë para fundit, udhëhiqte me 5 pikë epërsi, pikërisht 58-53 por në skenë në këto momente do të dilte organizatorja e Tiranës- Bujari e cila gjatë gjithë lojës ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për vendaset, sidomos me gjuajtjet e sakta për tre pikë dhe kështu ka vepruar edhe këtë herë, duke ofruar shifrat drejt barazimit. Aksioni i fundit i ndeshjes u shoqërua me topin në zotërim të vajzave të trajnerit Rasha por ata nuk arritën të shënojnë dhe miket e bënë këtë gjë në aksionin e tyre, duke shënuar dhe duke e fituar takimin me vetëm 1 pikë. Vetë trajneri Avrami pas ndeshjes e ka pranuar se për fitoren pati edhe fat brenda për ekipin e tij ndërsa trajneri i Vllaznisë Rasha, është ndalur tek numri i pakët i vajzave në dispozicion, duke ngritur një shqetësim të vazhdueshëm të tij, për një moskordinim të mirë të punëve nga ana e drejtuesve të klubit me ekipin e të rejave për marrjen e vajzave cilësore prej tij. Gjithsesi, kjo ndeshje tregoi se edhe Vllaznia do të jetë në vallen e ekipeve pretendente këtë sezon.
Vllaznia- Tirana 58-59
(19-18, 15-12, 10-11,14-18)
Vllaznia: I.Dashja, Mlika, Mustafa, Basha, Kraja, Çoçja, A.Dashja, Berranija, Juka. tr: R.Rasha
Tirana: Permeti, K. Malesia, Kelliqi, Hoxha, Gjeni, E.Bujari, G.Bujari, E. Malesia, Jashenica, Aliaj, Jaçe, Ahmetaj. Tr: R.Avrami

© shkodrasport.com