Vllaznia do të luajë të shtunën sërish në Shkodër edhe ndeshjen e rradhës për kampionat. Këtë herë përballë saj do të jetë Skënderbeu i vendit të fundit. Kjo sfidë konsiderohet si mundësia e fundit e kuqebluve për t’u rikthyer tek fitorja dhe për të mbetur në lojë sa i takon objektivit për të siguruar një vend që do t’i çonte ata në Kupat e Europës përmes kampionatit.

Ata ndodhen vetëm një pikë larg vendit të katërt, vend që i çon matematikisht në këto kompeticione dhe kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në fund të kampionatit, kjo është mëse e arritshme. Por çdo gjë varet nga sfida e së shtunës. Skënderbeu nga ana e tij është thuajse i rënë nga Superligë, por po kërkon ta respektojë deri në fund kampionatin dhe trajneri Gega do të aktivizojë lojtarë të rinj që duan të evidentohen.

Në anën tjetër, te Vllaznia pritet të ketë sërish mungesa. Përveç brazilianit Da Silva që vazhdon të jetë dëmtuar, do të mungojnë edhe Krymi e Djurdjeviç të pezulluar me kartona. Zëvendësimi sidomos i Krymit është i vështirë, megjithatë trajneri Plori do të mundohet të gjejë zgjidhjen e duhur.

Edhe numri 1 i pankinës shkodrane po kalon një moment të vështirë sepse që kur ka marrë drejtimin e Vllaznisë, akoma nuk e ka provuar shijen e fitores. Kjo gjë e ka vënë përballë një presioni të madh, por shpresat janë që të shtunën të arrijë më të mund t’i gëzohet suksesit të parë.

Kjo periudhë është edhe një test për të dhe padyshim që ai po mundohet të bëjë më të mirën për skuadrën, por duhet pranuar se e ka marrë drejtimin e saj në një periudhë shumë kritike. Megjithatë, të shtunën gjërat mund të fillojnë të marrin për mirë dhe shpresat janë të mëdha që do të ndodhë kështu./SHKODRA-SPORT.COM/