Vllaznia-Tirana është në prag dhe kush më mirë se Gilman Lika mund të flasë për këtë takim. Mesfushori i ka veshur të dyja fanellat, duke qenë lider te shkodranët dhe bardheblutë, pasi ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Lika analizon “klasiken” e futbollit shqiptar dhe tregon kush është më i avantazhuar


Nesër luhet Vllaznia-Tirana, një klasike e futbollit shqiptar dhe për më tepër ju keni luajtur me të dyja skuadrat. Çfarë prisni nga ky takim?

Pres një ndeshje të bukur dhe të luftuar nga të dyja ekipet. Mendoj se Vllaznia është pak më e avantazhuar sepse ka bërë një nisje më të mirë. Tirana ka mungesa dhe mendoj se është ekip më i dobët se në sezonin e kaluar.

Keni nostalgji për ndeshje të tilla?

Është ndeshje që do të donte çdo lojtarë ta përjetonte në fushë, sidomos kur ka praninë e tifozëve. Unë ruaj kujtime të bukura nga të dyja skuadrat dhe kjo më bën që ta përjetoj më ndryshe këtë takim. Gjithnjë kam pasur emocione me të dyja fanellat që kam luajtur.

Kush mund ta zgjidhë sipas jush këtë përballje?

Është ndeshje e vështirë edhe mendoj që do të shënojnë lojtarët e sulmit. Nuk di të them një emër të veçantë, por në të tilla ndeshje, pjesa e lojtarëve të sulmit janë më të avantazhuar për të shënuar.


Tirana vjen në Shkodër me një trajner të ri, pikërisht Nevil Deden. Sa ndikon ky ndryshim në stol në këtë ndeshje të parë?

Çdo lëvizje që bëhet, kërkohet për mirë. Do të jetë një plus për Tiranën, edhe për vetë emrin që është vënë në krye të skuadrës. Megjithatë, kjo nuk duhet që të ndikojë te Vllaznia.