Arabia Saudite së fundmi po josh disa nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror. Shifrat marramendëse kanë bindur emra si: C.Ronaldo, Neymar, Mahreza, Firmino e shumë të tjerë ti bashkohen një kampionati të një niveli jo shumë të lartë. Por Lindja e Mesme duket një tokë joshëse edhe për shkodranët.
Më saktë Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do jenë disa ish-futbollistë shkodranë që do jenë në rolin e trajnerit. Në Abu Dhabi, tek akademia e 7mania do jenë 3 trajnerë shkodranë në sezonin e ri. Më i njohuri prej tyre, Gilman Lika që u zyrtarizua para pak ditësh për këtë lëvizje do jetë pjesë e kësaj akademie.
Pas shpalljes kampion me Vllazninë u-17 sezonin e shkuar si trajner, ish-kapiteni kuqeblu do tentojë aventurë tjetër në karrierën e tij. Po ashtu kësaj akademie pritet t’i bashkohet edhe Admir Mehja. Ish-futbollist i Vllaznisë dhe trajner i disa ekipeve në Shkodër.
Edhe kjo një eksperiencë e re për Mehjan, që së bashku me Liken tek kjo akademi do gjejë edhe Alvaro Mujaxhin.Ish-futbollist i Vllaznisë në grupmosha, ku pavarësisht largimit nga futbolli si lojtar, është pjesë e këtij sporti si trajner.
Po ashtu në Dubai do jetë një tjetër ish-futbollist i akademisë Vllaznia, Sidrit Barbullushi që do trajnojë në moshat e një akademie private. Duket se Emiratet po kthehen në një tokë premtuese për shkodranët, që shohin një mundësi jo vetëm nga ana financiere, por edhe profesionale në këtë vend.
Endri ÇINARI