FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREEmmanuel, vetëm 19 vjeç dhe titullar te Vllaznia! Një zbulim i Csaba...

Emmanuel, vetëm 19 vjeç dhe titullar te Vllaznia! Një zbulim i Csaba László dhe Alban Hasanit

Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Vetëm 19 vjeç, por me vetëbesim të madh për të luajtur si titullar. Fjala është për Emmanuel Nwokporo, një nga emrat që po tërheq vëmendjen te Vllaznia, pas paraqitjes së tij në ndeshjen ndaj Tiranës, ku e nisi takimin nga minuta e parë në mesfushë.

Për futbollistin e ri, kjo ishte një mundësi e rëndësishme për të treguar cilësitë dhe potencialin që zotëron. Emmanuel jo vetëm që e shfrytëzoi besimin e trajnerit Csaba László, por ishte edhe një prej futbollistëve më të mirë në fushën e lojës, duke dëshmuar se mosha nuk përbën pengesë kur ke cilësi dhe personalitet për të luajtur në nivele të larta.

Meritë për këtë hap të rëndësishëm në karrierën e 19-vjeçarit ka padiskutim edhe drejtori sportiv Alban Hasani. Ky i fundit e njeh mirë futbollistin, pasi Emmanuel ka qenë pjesë e Akademisë së Vllaznisë, në ekipin U-19, në kohën kur Hasani ishte në drejtimin e saj.

Në fakt, afrimi i tij në Akademi duket se ka qenë një lëvizje me vlerë. Emmanuel ishte ndër futbollistët më të spikatur të grupmoshës së tij dhe, sipas vlerësimit për cilësitë e treguara në fushë, ishte ndër më të mirët. Për këtë arsye, kalimi i tij drejt ekipit të parë nuk është një zhvillim i rastësishëm, por edhe rezultat i vëmendjes që i është kushtuar prej kohësh talentit të tij.

Pa frikë mund të thuhet se Alban Hasani ka një meritë të veçantë që Emmanuel sot po luan me ekipin e parë të Vllaznisë. Ai e kishte evidentuar dhe afruar te Akademia, ndërsa tani futbollisti po merr mundësinë të tregojë vlerat e tij në skuadrën kuqeblu. Nga ana tjetër, trajneri Csaba László i ka besuar një vend në formacion, duke i dhënë mundësinë të hedhë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Për Vllazninë, aktivizimi i futbollistëve të rinj të dalë nga Akademia është një sinjal pozitiv, ndërsa për Emmanuelin kjo mund të jetë vetëm fillimi. Tashmë, sfida e tij është të vijojë me të njëjtin përkushtim, të fitojë eksperiencë dhe të shndërrohet gradualisht në një alternativë të rëndësishme për mesfushën shkodrane.

Vetëm 19 vjeç, me një paraqitje bindëse në ndeshjen e parë si titullar dhe me besimin e trajnerit, Emmanuel Nwokporo është një emër që meriton të ndiqet me vëmendje. Dhe pas këtij hapi që ka hedhur, krahas punës së tij dhe besimit të Csaba László, qëndron edhe vlerësimi i hershëm i Alban Hasanit, i cili e kishte parë potencialin e tij që në Akademinë e Vllaznisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments