Shkruar nga Endri ÇINARI
Gazeta “Shkodra Sport” mëson në mënyrë ekskluzive se Ergi Borshi do të jetë trajneri i ri i Shirokës. Pas largimit të spanjollit Pablo Rios nga drejtimi i skuadrës shkodrane, drejtuesit kanë nisur punën për të gjetur pasuesin e tij dhe emri i përzgjedhur për këtë detyrë është ai i 30-vjeçarit Borshi.
Ky i fundit pritet të marrë përsipër drejtimin e Shirokës, duke nisur kështu një aventurë të re në karrierën e tij. Deri para pak ditësh, Borshi ishte pjesë e stafit teknik të Vllaznisë, ku ushtronte detyrën e zëvendëstrajnerit, por më pas u largua nga klubi kuqeblu.
Tashmë, për të hapet një kapitull i ri, këtë herë si trajner i parë. Një sfidë që vjen në një moment jo të lehtë për Shirokën, e cila nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Kategorinë e Dytë dhe ka nevojë për një reagim të shpejtë për të ndryshuar ecurinë e rezultateve.
Pas pesë javëve të para të kampionatit, skuadra shkodrane ka grumbulluar vetëm 3 pikë, duke u renditur aktualisht në vendin e 11-të. Një bilanc që tregon vështirësitë e hasura në këtë fillim sezoni dhe që e bën edhe më të rëndësishme ndërhyrjen në stolin teknik.
Për Ergi Borshin, detyra nuk do të jetë aspak e lehtë. Në moshën 30-vjeçare, ai do të ketë përgjegjësinë për të rikthyer besimin te skuadra, për të përmirësuar paraqitjet dhe për t’a larguar Shirokën nga zona e fundit e renditjes.
Me ardhjen e tij të pritshme, Shiroka synon të nisë një fazë të re, me objektivin për të reaguar sa më shpejt në kampionat. Tashmë, vëmendja do të jetë te puna që do të bëjë Borshi dhe te mënyra se si do të arrijë të ndryshojë ecurinë e skuadrës shkodrane në javët e ardhshme.


