Marash Kumbulla ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha në Itali. Mbrojtësi i Kombëtares po shkëlqen me Veronën edhe pse 19-vjeçar dhe në sezonin e parë si debutues në elitën e futbollit italian. Kështu, interes kanë treguar Juventusi, Interi apo edhe Fiorentina.
Së fundmi, edhe Napoli duket se ndjek nga afër Kumbullën. Madje menaxheri i futbollistit, Xhani Vitali, ka këshilluar Kumbullën të transferohet pikërisht te të kaltrit. “ Marashi po bën shumë mirë, së bashku me të gjithë Veronën.
E gjithë skuadra po luan një kampionat me nivel të lartë, dhe djaloshi është protagonist i një kampionati të jashtëzakonshëm. Napoli me sytë te Kumbulla? Djaloshi ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, por të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Verona nuk ka nevojë ekonomike dhe nuk kërkon të shesë elementët më të mirë në janar.
Napoli është shumë i vëmendshëm ndaj talenteve, si në Serinë A ashtu edhe në Europë. Kështu, është normale të vëzhgojnë Kumbullën. Është një profil që mund t’i pëlqejnë një shoqërie si ajo e kaltërta.
A do ia këshilloja Napolin një lojtari që menaxhoj? Pa dyshim, pavarësisht periudhës së vështirë. Napoli mbetet Napoli. Është një shoqëri që ka bërë shumë mirë në këto vite ashtu si Juventusi e Atalanta”, u shpreh menaxheri i Kumbullës./VipSport/