Nëse kampionati nuk po shkon si duhet për ekipit e futbollit të Akademisë Vllaznia, krejt ndryshe mund të themi se ka nisur kampionati për ekipin e basketbollit të të rinjve të Vllaznisë. Pas fitores javën e kaluar në Shkodër ndaj rivalit të tij kryesor, ekipit Superior Klima, këtë javë kuqeblutë kanë luajtur në Tiranë ndaj Dinamos dhe kanë fituar me rezultatin 77 me 70.

Ka qenë një takim shumë I mirë për skuadrën shkodrane e cila e ka interpretuar në mënyrën e duhur atë që nga sekonda e parë dhe deri tek e fundit. Për t’u përmendur është paraqitja sërish e basketbollistit të saj kryesor Elian Memçaj I cili duke patur rolin e liderit, e ka udhëhequr Vllazninë drejt fitores.

Bashkë edhe me lojtarët e tjerë dhe nën drejtimin e trajnerit Fatjon Halluni, gjithçka ka shkuar në mënyrën e duhur dhe në fund ata kanë arritur të fitojnë edhe ndaj Dinamos. Një nisje e tillë e kampionatit me dy fitore në dy ndeshjet e para të kampionatit, konfirmon më së miri objektivat serioze që ky ekip ka në sezonin që sapo ka nisur.

Natyrisht që e rëndësishme është mbi të gjitha që të përgatitet një brez I talentuar lojtarësh të cilët në një të ardhme të shpejtë të mbushin ekipin e parë në mënyrë që të mos ndodhë më siç ka ndodhur këtë kampionat kur janë blerë plot shtatë basketbollistë të huaj.

Drejtuesit e basketbollit e kanë deklaruar se do të ketë një riorganizim total të Akademisë dhe hapat e parë të këtij ndryshimi sapo kanë nisur.
www.shkodrasport.com