Futbollisti i ardhur nga Akademia, Rejan Alivoda, ka luajtur dje ndeshjen e tij të parë në Abissnet Superiore si titullar me fanellën e Vllaznisë. Djaloshi 19-vjeçar kishte luajtur dy ndeshje të mëparshme në elitën e futbollit shqiptar vetëm në minutat e fundit si zëvendësues, teksa dje mori përgjegjësinë e fanellës së titullarit.
Ai dhuroi një provë të mirë në sfidën ndaj Kastriotit, paraqitje për të cilën u vlerësua deri diku edhe nga trajneri Mirel Josa, por pa dashur ta ngrejë në qiell, në përfundim të sfidës që u mbyll me fitoren e ngushtë 1-0.
Në fakt, Alivoda nuk ishte rastësisht në formacionin titullar, teksa u mor një konfirmim se ai është një perspektivë e bukur për të ardhmen. Djaloshi 19-vjeçar ka premisat e një futbollisti të rëndësishëm, një gjë që qartësisht u pa, teksa mbetet një futbollist shumë interesant, me cilësi dhe vizion loje, por duhet të jetë me këmbë në tokë akoma.
Ndoshta, futbollistët e tjerë të rinj të ardhur nga Akademia, duhet të marrin shembull nga Rejan Alivoda, teksa që në herën e parë si titullar zhvilloi një ndeshje me karakter dhe shumë pozitive, por ka akoma shumë punë rrugës. E ardhmja duket e ndritur për të, pasi fillimi i mbarë është gjysma e punës…
Maringlen ZHIVANI