Një katërshe gjyqtarësh shqiptarë do të arbitrojnë për herë të parë një ndeshje në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Kryesori Enea Jorgji do të jetë “bilbili” i parë që drejton në këto nivele, ndërkohë që asistentet e tij do të jenë Denis Rexha, Ridiger Çokaj dhe arbitër i katërt Florian Lata.

Burime konfidenciale pranë FSHF-së kane bërë me dije për “Panorama Sport” se katërshja e gjyqtarëve shqiptarë do të vendosë drejtësi në ndeshjen Jang Bojs-Lajpcig më 20 shtator që luhet në Zvicër, e vlefshme për Grupin G. Këto dy skuadra ndodhen në të njëjtin grup me Mançester Sitin dhe Crvena Zvezdën.

Në të kaluarën arbitrat shqiptarët kanë drejtuar ndeshje në fazën paraelminatore, ose miqësore kombëtaresh të nivelit të lartë, por asnjëherë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.

Vëzhgues i kësaj ndeshjeje do të jetë italiani Roberto Roseti, i cili përveç angazhimit në UEFA është edhe disenjatori i arbitrave në Serinë B italiane.