Eraldo Çinari është një nga ish-be niaminët e tifozëve të Partizanit dhe Vllaznisë, si dhe një nga lojtarët që mungojnë më së shumti në këtë sfidë. Gjithsesi, tashmë sulmuesi po ndjek karrierën e tij dhe është transferuar te Shkëndija, ku arriti golin e parë në ndeshjen e dytë me kuqezinjtë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çinari tregon rreth eksperiencës së tij të re, si dhe flet gjerë e gjatë për Partizanin dhe Vllazninë, të cilat ndeshen sot në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Sulmuesi shkodran shprehet se pret një ndeshje me gola.


Gjetët golin me Shkëndijën që në ndeshjen e dytë. Tani që u çliruat, cilat janë pritshmëritë tuaja?

Në radhë të parë jam shumë i lumtur për arritjen e golit të shënuar pas gati një viti pritjeje. Pritshmëritë e mia janë që të kontribuoj sa më shumë për klubin e Shkëndijës me golat e mi dhe të shkojmë sa më lart së bashku.


E shihni Shkëndijën si trampolinën perfekte për t’u kthyer në Europë apo si një vend ku ju mund të ngulni rrënjët tuaja dhe të bëheni pjesë e historisë së klubit?

Të them të drejtën, janë dy gjëra që ndërthuren së bashku dhe do të ishte shumë bukur t’i bëja të dyja. Dua të bëhem pjesë e historisë së Shkëndijës, të vendos rrënjët e mia dhe të lë një emër sa më të mirë. Por edhe e konsideroj si një trampolinë për të arritur akoma më lart, sepse dihet tashmë që Shkëndija është një mundësi e madhe për futbollistët për t’u transferuar jashtë.


Mesa është folur në media, kishit oferta në Superiore nga Vllaznia, Partizani, ndoshta edhe ndonjë klub tjetër. Përse zgjodhët Shkëndijën?

Është e vërtetë që kam pasur oferta nga klubet e Kategorisë Superiore, por projekti dhe ambiciet e Shkëndijës më bënë që të vij dhe të luaj në Tetovë.


Partizani ka 19 vite që nuk e fiton Kupën. Mos e nënvlerësojnë pak në kampin e kuq këtë kompeticion?

Unë kam qenë vetë pjesë e Partizanit dhe mendoj se nuk e ka nënvlerësuar aspak këtë kompeticion, por sikur Kupa për Partizanin është si një mace e zezë. Në pjesën më të madhe të rasteve ka qenë fati që nuk i ka ndihmuar, siç vjet u eliminuan me penallti nga Vllaznia në gjysmëfinale.

Sot ndeshen dy skuadra ku ju keni lënë gjurmë. Si e prisni këtë përballje dhe sa e fortë do të jetë?

Për mua nesër është një përballje e dy prej ekipeve më me traditë dhe më të mira të futbollit shqiptar. Po e tregojnë edhe momentalisht që janë dy skuadra të forta dhe do të jenë rivale deri në fund edhe për titullin. Pritshmëritë e mia janë se do të jetë një ndeshje shumë e bukur për t’u parë nesër.

Ju duket ndonjëra më e avantazhuar?

Nuk mund të parashikoj diçka, por e vetmja gjë që mund të them është se pres një ndeshje me shumë gola.