Nga Maringlen ZHIVANI
Ka momente kur habitesh dhe ndalesh për të parë me vëmendje se si një njeri i thjeshtë, i dashur dhe plot pasion, arrin të bëjë kaq shumë për një skuadër futbolli. Ky është rasti i Ermir Shimajt, presidentit të ekipit Basania F.C, një dashamirës i madh i sportit që ka fituar respektin e të gjithë Bushatit.
Përkushtimi i presidentit Shimaj mbetet i jashtëzakonshëm. Ai e mbështet ekipin me forcat e tij, duke përdorur të ardhurat e biznesit familjar për të mbuluar çdo shpenzim të mundshëm. Vetëm për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në Korçë, ekipi udhëtoi një ditë para dhe qëndroi në hotel me 29-persona (staf dhe lojtarë), një shpenzim i konsiderueshëm që pak klube në nivele të tilla do ta përballonin.
Gjatë këtyre viteve, Ermir Shimaj i ka paguar lojtarët në mënyrë të rregullt dhe ka dhënë shpërblime për çdo fitore. Poashtu, ai mbulon të gjitha shpenzimet e mundshme, të cilat nuk janë aspak të vogla, duke filluar nga kameramani, fotografi, doktori, punëtori i fushës, si edhe hotelin dhe ushqimin për lojtarët e huaj. Po ashtu, përveç kësaj, edhe trajtimet mjekësore në klinika private për dëmtimet e lojtarëve mbulohen nga ai.
Në shumë aspekte, Basania po funksionon si një ekip profesionist, ndonëse është një klub i një komuniteti të vogël. Edhe një ditë para ndeshjes me Luzin, presidenti i grumbulloi lojtarët në Hotel “Argenti”, ku ekipi iu përgjigj me një fitore 3-2, duke i dhuruar atij një sukses të merituar. Ermir Shimaj po bën një punë të jashtëzakonshme për komunitetin dhe sportin në Bushat.
Po ashtu, vlen për t’u përmendur se edhe trajnerët që kanë qenë te Basania, kanë punuar të lirë dhe pa ndërhyrje. Edhe këtë sezon, presidenti Shimaj ka investuar maksimalisht, teksa ka sjellë nga Mali i Zi një emër të njohur si trajneri Dervish Haxhiosmanoviç, i cili në bashkëpunim me dy zv/trajnerët Erjon Mani dhe Mario Kola, si edhe drejtorin teknik Fatjon Hasani, kanë afruar në ekip përforcime cilësore për të kapur objektivin, që është renditja në pesë vendet e para.(www.shkodrasport.com)