Trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka, pas fitores me Skënderbeun, u shpreh mjaft i kënaqur për tri pikët. Ai ka folur edhe për merkaton dhe shpreson që drejtuesit t’i sjellin lojtarë shqiptarë në janar:

“Ishte ndeshje e vështirë, sepse Skënderbeu është ekip shumë i vështirë, ka një fizionomi loje që është shumë e vështirë ta kontrollosh. Tani djemtë janë më të qetë, kjo ka rëndësi. Uroj të kemi ndonjë dhuratë, që ekipi të jetë më i plotë.

Gjithë kohës kemi pasur probleme, Teqja ka luajtur i dëmtuar sot dhe e komplimentoj. Na duhen lojtarë, por nuk është e lehtë të gjesh lojtarë në këtë moment. Kemi nevojë në mbrojtje, sidomos lojtarë shqiptarë.

Emra mund të ketë, por mund të jenë të zënë. Të shohim çfarë do të bëjmë, po vështrojmë, nuk po gjuajmë. Lufta për mbijetesë është e hapur dhe shumë e fortë. Të gjithë janë ekipe të fortë. Duhet të mblidhemi të diskutojmë për blerje shqiptare. Nuk duhet të gjendemi si tani, pa dy qendërmbrojtës.

Nuk toleruam në mesfushë, por nuk deshëm t’i jepnim mundësi kundërshtarit të luante lirshëm dhe ta çorientonim atë. Ia dolëm me Vangjelin”.