Skuadrat e Superligës kanë nisur tashmë përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit dhe secila prej tyre po bën edhe planet për merkaton. Kamza që siç dihet drejtohet nga ish-trajneri i Vllaznisë sezonin e kaluar- Ernest Gjoka, po mundohet të mbajë lojtarët aktualë dhe po ashtu edhe të shohë mundësinë për t’u përforcuar në pika të veçanta.

Pas largimit të mbrojtësit Frashëri për tek Teuta, një tjetër lojtar mund t’i largohet. Bëhet fjalë për mbrojtësin tjetër, Olsi Teqja. Nëse ndodh kjo, trajneri Gjoka ka menduar një zgjidhje tjetër për ta kompesuar këtë largim.

Do të tentojë të marrë mbrojtësin lezhjan Renato Malota nga Vllaznia. Ai e pëlqen lojën e tij dhe më së shumti edhe përvojën që ka. Jo më kot edhe janarin e kaluar ngulmoi ta merrte tek ekipi shkodran ndërkohë që tashmë mund të tentojë të bëjë të njëjtën gjë edhe tek Kamza.

Megjithatë ditët e ardhshme do të mësohet më shumë në lidhje me këtë lëvizje. Fillimisht duhet parë nëse do të largohet apo jo Teqja sepse nëse kjo nuk ndodh, nuk ka vend për Malotën në skuadër. Në këtë mënyrë, në Shkodër ndoshta duhet të fillojnë t’i bëjnë planet pa 29 vjeçarin shtatëlartë.
© shkodrasport.com