Trajneri i Shkodra u-19, Ersi Çaku ka folur së fundmi për Superligën dhe ecurinë e Vllaznisë. Sipas tij në këtë fund kampionati, shkodranët rrezikojnë shumë përsa i përket një kualifikimi në Europë. Por megjithatë Çaku shton se ka besim tek skuadra që mund ti kalojë këto prova me sukses. Gjithashtu ai thekson se tek kuqeblutë ka me të vërtetë probleme komunikimi mes stafit teknik dhe futbollistëve.

Çaku tha: “Ekipi i tani ndodhet në dy ndeshjet e fundit të sezonit dhe është para përgjegjësië së madhe. Jo për të krijuar presion, por dihet që këto dy ndeshje janë vendimtare dhe nuk vlen asgjë tjetër përveç dy fitoreve. Duke nisur që nga dita e nesërme ku luhet kundër Laçit. Dhe nëse ekipi e kalon me sukses këtë provë jam i bindur se do bëjë mirë edhe në Ballsh.

Lojën e dimë të gjithë se ka pasur luhatje të mëdha gjatë gjithë sezonit, por ajo që unë vë re me stafin e ri është problematika në komunikim. Duket se trajneri Sedloski nuk e flet siç duhet gjuhën angleze dhe komunikon me ndihmësin e tij. I cili duhet ta përçojë më pas te futbollistët, pra nuk shoh një komunikim direkt trajner me lojtarë.

Dhe kjo ndikon ku kam vërejtur që shpesh trajneri duket i pakënaqur me atë çfarë interpreton ekipi. Por siç e thashë unë kam besim se Vllaznia do ia dalë dhe do jetë viti i tretë që do dalë në kupat e Europës rradhazi. Pavarësisht se tifozët dhe gjithë ambienti i futbollit në Shkodër do donin një trofe nga ana e ekipit.”
Endri ÇINARI