Futbollistët e Erzenit kanë marrë direktivat e fundit dhe janë mjaft të fokusuar për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Tiranës. Ka disa rikthime për shijakasit, por mesa duket dy lojtarë akoma nuk ia kanë dalë të jenë të gatshëm për ndeshjen e sotme në Elbasan kundër Tiranës.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Nehar Sadiki dhe lojtarin e krahut të majtë, Xhelil Asani, të cilët po vuajnë akoma nga dëmtimet. I pari u bë plot 10 ndeshje që i mungon mbrojtjes shijakase, ndërsa Asani mori një lëndim në stërvitje pak ditë më parë.

Nga ana tjetër, mësohet se futbollistë të rëndësishëm të formacionit si kapiteni Krasniqi, sulmuesi i krahut, Kadriu apo brazilianët Enk dhe Leao, do të jenë një forcë e shtuar për ekipin e Erzenit. Të gjithë janë riaftësuar nga dëmtimet dhe janë të gatshëm për trajnerin Kapllani.

Së bashku me djemtë e tjerë të ekipit kanë treguar cilësi shumë të mira sportive dhe tani Kapllani do të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës që zhvillohet në Elbasan pa praninë e tifozëve.

Paradoksale paksa kjo situatë teksa kujtojmë që në përballjen Erzeni-Tirana ishin shijakasit të dënuar, ku paguan gjobën për të pasur tifozët prezentë në sfidën delikate.

Nga ana tjetër, kryeqytetasit, edhe pse me një buxhet shumë herë më të madh, i kanë privuar tifozëritë e të dyja ekipeve të mos jenë prezentë në stadium këtë javë, duke mos e kompensuar me gjobë dënimin. Erzeni do të tentojë këtë javë t’i shkëputet sa më shumë zonës së ftohtë dhe rrjedhimisht t’i afrohet zonës së Europës.