Nëntë fitore njëri ekip, tetë tjetri, pikë të barabarta në renditje dhe ndajnë vendin e parë dhe të dytë. Vllaznia dhe Erzeni në volejboll për meshkuj konsiderohen dy ekipet pretendente për fitimin e titullit kampion të këtij sezoni.

Pasditen e së shtunës, konkretisht në orën 19.00 në Shijak këto dy ekipe do të përballen me njëri- tjetrin për të përcaktuar pastaj kryesuesin e vetëm të renditjes.

Në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në Shkodër, Vllaznia pat fituar me rezultatin 3-2 ndaj këtij kundërshtari që siç dihet, është edhe kampion në fuqi i vendit.

Për takimin e nesërme, ekipi shkodran është i përgatitur për ta fituar edhe atë dhe natyrisht që ardhja e bjellorusit Misiyuk dhe e malazezit Medenica, e kanë forcuar edhe më shumë atë, prandaj dhe do të tentojnë ta mundin sërish Erzenin.

Nuk do të jetë e lehtë sepse edhe shijakasit kanë të njëjtin objektiv por kjo pak rëndësi ka. Kampionati i sivjetëm pritet të jetë shumë i fortë dhe ende nuk mund të thuash me saktësi se cili është ekipi më favorit.

Vllaznia pritet të jetë konkurrente deri në fund dhe trajneri Kraja bashkë me volejbollistët e tij pretendojnë fitimin e titullit të dytë kampion.
© shkodrasport.com