Mesfushori i Partizanit, Esat Mala ka folur për të ardhmen e tij. Një sezon si i huazuar me të kuqtë, por me mbarimin e kampionatit duhet të rikthehet te skuadra turke e Giresunspor. I pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, Mala nuk e fsheh dëshirën për të vazhduar me të kuqtë, por kjo gjë varet nga bisedimet mes dy klubeve.
“Kemi dhe një ndeshje për ta mbyllur, por kur kthehemi në fillim mund të them se ishte një sezon shumë i gjatë. Nuk e nisëm mirë, por e kthyem sezonin përmbys, arritëm atë objektiv që na kishte mbetur”.
“Nuk e hedh poshtë punën e bërë dhe më përpara, por ndoshta ndryshimi i bëri mirë skuadrës që të vazhdonte përpara. Zgjedhja e Mehmetit e ndihmoi skuadrën, sepse e njihte ambjentin dhe e bëri më të lehtë punën”.
“Partizani lufton gjithmonë për titull, por varet se si shkon sezoni dhe duhet të kapësh objektivat që dalin rrugës”.
“Para ndeshjeve të Europës duhet të kthehem në klubin turk, për të bërë fazën përgatitore atje. Më pas nuk i dihet. Kam shumë vite te Partizani, por të shikojmë se çfarë do të ndodhë”.
“Do ulen palët të diskutojnë, drejtuesit e Partizanit dhe të skuadrës turke. Nëse nuk më jepen minuta të konsiderueshme te skuadra turke, atëherë përse të mos e provoj në një skuadër tjetër ku të kem mundësinë të tregoj aftësitë e mia”.
“Pozicioni në fushë? Kur u shpallëm kampion kisha një pozicion fiks, por më pas kam luajtur në shumë pozicione, jam përshtatur. Gjithsesi, pozicioni im është sulmues krahu”.