Esin Hakaj, mbrojtësi i majtë i ekipit kuqeblu, i quan 3 pikë me shumë vlera këto të marra ndaj Tiranës. Sipas tij, Vllaznia tregoi një shpirt të lartë gare dhe shumë karakter në këtë takim.

Në një intervistë për “Panorama Sport” mëngjarashi është i mendimit se Vllaznia duhet të ketë dhe të bëjë të njëjtën “prokopi” edhe ndaj skuadrave që këtë sezon janë kthyer në një makth për të. E tillë, sipas Hakajt, është edhe Egnatia që ka arritur t’i marrë kuqebluve 4 nga 6 pikët e mundshme. Ndërsa për sa i përket titullit, mbrojtësi thekson se ka shumë takime dhe situatat mund të ndryshojnë nga java në javë.

Tri pikë me shumë vlerë ndaj Tiranës?

Normalisht që ishin tri pikë me shumë vlerë, kur dihet se ndaj kujt po luanim. Ishte ndeshje shumë e rëndësishme, e dinim vështirësinë se Tirana do të vinte për dy rezultate. Ishte e qetë, me 6 pikë avantazh dhe luante për barazim e fitore. Por edhe ne duhej të ishim të qetë se ishte e sigurt që do të vinte goli. E kishim përgatitur ndeshjen qduhej të kishim shumë durim e qetësi, këmbëngulje deri në fund të ndeshjes.

Në vitet e kaluara, për shkak të euforisë e entuziazmit, kemi sulmuar shumë dhe e kemi pësuar mbrapa. Këtë herë ishte Vllazni cinike, e dinte çfarë kërkonte, kur vjen rezultati, të gjithë jemi të kënaqur.

Tri pikë që hapën kampionatin?

Normalisht që u hap kampionati. Tri pikë, të cilat na afruan ndaj një rivali direkt. Por dua të them se lufta është e hapur, ama nuk duhet të vazhdojmë të mos gabojmë. Kemi fituar një betejë, por për të fituar gjithë luftën duhet të fitojmë edhe beteja të tjera.

Në këtë kampionat i keni marrë, sidomos më parë, 7 pikë në tri ndeshje Tiranës, por keni lënë ndaj skuadrave të tjera në dukje të vogla?

Është e vërtetë që ndaj rivalëve direktë kemi dhënë më të mirën dhe kemi marrë më të mirën. Mirëpo se di çfarë na çalon ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla. Duhet të bëjmë kujdes pikërisht ndaj tyre.


Pikërisht këtë javë përballë keni Egnatian, ku ndaj saj në dy takime kemi marrë vetëm një pikë?

Nuk ka ekipe të lehta dhe fushë të lehtë. Ndaj Egnatias e kemi pasur vështirë edhe në sezonin e shkuar. Është një skuadër që kërkon shumë kujdes dhe duhet që të mos gabojmë. Për t’u quajtur të suksesshëm duhet që të ruajmë vazhdimësinë dhe këtë do të kërkojmë ndaj Egnatias.

Kjo Vllaznia për titull?

Sigurisht nuk kemi frikë ta përmendim se jemi për titull. I dimë shumë mirë cilësitë që kemi në skuadër. E vërtetë që kemi pasur probleme se nuk kemi pasur stabilitet në rezultate, por besoj se jemi në rrugën e duhur. Por po na kthehen lojtarët dhe Vllaznia do të jetë më e fortë në javët në vijim.