Pak ditë më parë, legjenda kamerunase Samuel Eto, vendosi të tërhiqej përfundimisht nga futbolli i luajtur, duke “varur” këpucët në gozhdë. Ish-sulmuesi i Barcelonës, Interit, Çelsit e shumë skuadrave të tjera, ka fituar në karrierën e tij gjithçka, duke marrë edhe tripletën me dy skuadra të ndryshme.
Së fundmi, ai ka dhënë një intervistë për spanjollen “Marca”, aty ku ka folur për lidhjen që kishte me Murinjon apo edhe për sistemin “VAR” që po përdoret çdo ditë e më shumë. Ndryshe nga shumë futbollistë të tjerë, Eto u shpreh se është pro këtij sistemi.
“VAR? Të gjithëve iu pëlqen. Është diçka që e bën futbollin më të pastër dhe për shembull në Botërorin e fundit, Kameruni u ndëshkua nga Anglia.
Murinjo? Unë kam pasur kënaqësinë që jam stërvitur me të. Aty ne kishim krijuar një familje dhe jam lodhur duke i thënë gjithë botës se Murinjo është një nga trajnerët më të mirë në botë. Ndonjëherë, këta që meritojnë respekt, nuk e kanë dhe Murinjo është një prej tyre. Futbollistët do të jepnin jetën për të”, u shpreh Eto. /vipsport/