Shtangisti Briken Calja pasi fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes ka siguruar edhe 2 medalje të argjendta, në stilin e shtytjes dhe në dygarësh, në peshën 73kg të Europianit.

Calja iu afrua shumë trumfit të trefishtë dhe rekordit europian në stilin e shtytjes, por pa sukses. Gjithsesi, peshëngritësi nga Shtërmeni e mbylli këtë europian të peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, me 1 të artë dhe 2 të argjendta.

Pas triumfit në shkëputje (e mbylli garën me 156kg), në stilin e shtytjes Calja e nis jo mirë garën, duke mos ngritur dot 183kg në provën e parë. Gjithsesi, këtë peshë shtangisti e realizon me sukses në provën e dytë, duke ngritur lart 183kg. Në provën e tretë, shtangisti nga Shtërmeni tentoi 188kg (rekord europian), por dështoi sërsish edhe pse iu afrua shumë suksesit.

Në dygarësh, Briken Calja e mbylli garën me 339kg në total. Ai u mposht vetëm nga bullgari Bozhidar Andreev, që e mundi në stilin e shtytjes (ngriti 192kg) dhe në dygarësh (345kg, rekord europian). Gjithsesi, shtangisti kuqezi mbajti premtimin për medalje, duke i dhuruar Shqipërisë një të artë dhe dy argjendi, ndërkohë që një vit më parë fitoi 3 të arta./telesport/

Rezultatet e peshes 73kg ne Europian