Sanksionet nga UEFA u kanë dhënë tjetër formë projekteve të Milanit, të cilat sado të shumta të jenë, do të karakterizohen nga kosto e ulët. Në këtë prizëm, vardojnë bisedimet për Cesk Fabregas.

Spanjolli ka shprehur hapur pakënaqësinë për hapësirat e pakta në Londër dhe kuqezinjtë po mundohen të përfitojnë nga situata. Çelsi ka ulur në tetë milionë euro pretendimet për lojtarin, teksa “Djalli” nuk kërkon të shpenzojë më shumë se 5 milionë euro.

Ka ende dy javë kohë nga nisja e merkatos, por premisat duken të duhurat. Duke qëndruar në Angli, i vështirë duket edhe ushtrimi i së drejtës së blerjes për Tiemue Bakajokon. 35 milionë eurot e kartonit të tij, tashmë për arkat e “Casa Milan”, duken një investim totalisht jashtë mundësive.

KOKË TURKU – Për një lojtar që vjen, është edhe një që mund të largohet. Për hir të “Fair Play Financiar”, i sakrifikuari i parë mund të jetë Hakan Çalhanoglu. Turku i ardhur për 23 milionë euro nga Bajer Leverkuseni po kalon një moment të errët në Serinë A, e megjithatë nuk i mungojnë admiruesit.

Për një ofertë rreth 20 milionë euro, Milan do të ishte gati ta sakrifikonte fantazistin e lindur në Manhaim, aq më tepër që në janar Gatuzo do të ketë në dispozicion Lukas Paketën, një lojtar që mund të mbulojë fare mirë hapësirën e numrit 10 kuqezi, të cilin mund ta zëvendësojë në fushë edhe Kastijeho.