Vlonjati Ervin Fakaj ka dhënë mendi min e tij lidhur me ardhjen e trajnerit Silvinjo te Shqipëria. Ish-mbrojtësi i Kombëtares ka folur në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, duke theksuar mungesën e eksperiencës për brazilianin. Ai uron që të mos përsëritet rasti i Panuçit dhe gjithashtu është i mendimit se një trajner shqiptar si Hasi apo Skela nuk kanë asgjë më pak se Silvinjo.
Si ju është dukur zyrtarizimi i Silvinjos në krye të Kombëtares?
Për mendimin tim vonesa dhe zyrtarizimi i një trajneri të ri kaq vonë janë të pajustifikueshme. Fakti që me Edi Rejën u vendos për të mos vazhduar kontratën, mendoj që dy ndeshjet e fundit miqësore duhet të ishin zhvilluar me trajnerin e ri në stol. Për sa i përket Silvinjos, e njoh si lojtar, ndërsa si trajner s’kam ndonjë mendim për shkak të mungesës së eksperiencës.
Një brazilian në stolin e Shqipërisë, mendoni se ishte zgjedhja më e mirë nga disa emra që janë përmendur së fundmi si: Kambiaso, Xhampaolo, Di Biaxhio, Oddo, Reinaldo Rueda, Ilir Daja, Besnik Hasi, etj?
Unë e kam shprehur shumë herë pa emra dhe kam qenë i mendimit se është momenti për një trajner shqiptar. Konkretisht kam pasur mendimin për një midis Skelës ose Hasit, ose një kombinim i të dyve do të ishte perfekt për mendimin tim. Por për fat të keq, ai që vendos ka kohë që injoron ish-ët e ekipit kombëtar që realisht kanë të njëjtën eksperiencë si trajnerë ose shumë më tepër se zgjedhja aktuale.