Skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra, e drejtuar nga trajneri Besnik Lisha, tashmë në pjesën e dytë të sezonit do të jetë tërësisht me volejbolliste shkodrane.

Një gjë e tillë vjen pas largimit të tre volejbollisteve të huaja që erdhën në merkaton e verës me shumë bujë, siç ishin rusja Pronina dhe dy bjelloruset Kniazeva e Auramchyk, të cilat i kanë dhënë fund aventurës së tyre me Vllazninë.

Largimi i tyre erdhi nga drejtuesit e Shoqatës, me në krye presidentin Florian Zekja, duke marrë në konsideratë që paraqitjet e tyre nuk ishin në nivelin e kërkuar dhe pothuajse për asnjë moment ato nuk arritën të bëjnë diferencën në fushën e lojës.

Ndërkohë, së fundmi rikthimet e Klodeta Zhivanit, Danjela Kodrës dhe Mandisa Kuçit janë tepër pozitive dhe shumë të rëndësishme për Vllazninë në volejboll për femra.

Tashmë, në vijim ekipi kuqeblu, i cili do të jetë tërësisht me volejbolliste shkodrane, nuk pritet të bëjë afrime të tjera, teksa do të synohet dhe luftohet fort për arritjen e objektivave, të cilat janë fitimi i një trofeu me patjetër këtë sezon.
Maringlen ZHIVANI