Saturday, July 4, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ‘Mjeshtrit tê Madh’ të mundjes, Nikoll Grimaj

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ‘Mjeshtrit tê Madh’ të mundjes, Nikoll Grimaj

Shkruar nga Gjergj KOLA

Sporti i mundjes në Shkodër dhe Shqipëri ka nxjerrë gjithmonë sportistë kampionë, të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti. Një nga personazhet më të spikatur për rreth 20 vite me radhë ka qenë Nikoll Grimaj.

Në biografinë e tij sportive rezulton se kemi të bëjmë me një mundës, i cili në CV-në e tij ka të regjistruar 8 tituj kampion kombëtar si individ me Vllazninë dhe 17 Nëntorin. Ndërkohë, sukseset e tij vijuan edhe në karrierën si trajner, ku fitoi edhe 5 tituj të tjerë në drejtimin e ekipit të Dinamos.

Për “Mjeshtrin e Madh” Nikoll Grimaj, titull që iu akordua në mars të vitit 2022, dita e sotme është e veçantë, sepse përkon me ditëlindjen e tij. Ai feston 76-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazetës “Shkodra Sport” dhe të lexuesve të saj, i urojmë këtij kampioni edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ka lindur në Grudë më 4 korrik 1950 dhe e ka filluar sportin e mundjes klasike duke iu bashkuar ekipit të të rinjve të Vllaznisë me trajner Sulejman Ramën, pikërisht në vitin 1967.

Pas dy vitesh, më 1969, Nikoll Grimaj kaloi te ekipi i të rriturve të Vllaznisë, me trajner Qazim Elbasanin. Ai u bë pjesë e formacionit të kësaj skuadre dhe konkurroi në peshën e shtatë dhe të tetë, duke fituar shumë ndeshje në aktivitetet ku mori pjesë.

Në vitin 1971, në Kampionatin Kombëtar të zhvilluar në Tiranë, në datat 7–11 dhjetor, konkurroi në peshën e nëntë (-100 kg) dhe zuri vendin e dytë, duke u shpallur nënkampion i vendit.

Në vitin 1973 mori pjesë në Kupën e Republikës, të zhvilluar në Tiranë, ku konkurroi në peshën e tetë (-90 kg) dhe u rendit në vendin e dytë.

Po atë vit, në Kampionatin Kombëtar Individual të zhvilluar në muajin nëntor në Tiranë, Nikoll Grimaj u shpall për herë të parë kampion kombëtar, duke konkurruar në peshën e shtatë (-82 kg).

Në vitin 1974, në Kupën e Republikës të zhvilluar në Tiranë, konkurroi në peshën -90 kg dhe zuri vendin e tretë. Në Kampionatin Kombëtar Individual, të zhvilluar në datat 9–12 korrik në Tiranë, zuri vendin e dytë dhe u shpall nënkampion i vendit.

Ndërkohë, në finalet e Spartakiadës së III-të Kombëtare, të zhvilluara në datat 2–4 tetor në Tiranë, konkurroi në peshën -82 kg dhe fitoi medaljen e argjendtë.

Në vitin 1975, në finalet e Kupës së Republikës, të zhvilluara në Shkodër në datat 14–16 maj, konkurroi në peshën -90 kg dhe zuri vendin e parë.

Po atë vit, në Kampionatin Kombëtar Individual të zhvilluar në Tiranë, konkurroi në peshën mbi 100 kg dhe u shpall kampion kombëtar. Në Kampionatin Kombëtar Ekipor, të zhvilluar në Shkodër, zuri vendin e dytë në peshën -90 kg.

Në vitin 1976 fitoi sërish Kupën e Republikës dhe më pas u shpall kampion kombëtar në peshën mbi 100 kg.

Në vitin 1977 fitoi Kupën e Republikës në Kukës dhe më pas u shpall përsëri kampion kombëtar në Shkodër.

Në vitin 1978 fitoi Kupën e Republikës në Korçë në peshën +100 kg, ndërsa në Kampionatin Kombëtar Individual të zhvilluar në Shkodër u skualifikua.

Në vitin 1979 u rendit i treti në Kampionatin Kombëtar Individual dhe fitoi medaljen e bronztë në Spartakiadën e IV Kombëtare.

Në vitin 1980 u rendit i treti në Kupën e Republikës dhe më pas kaloi te ekipi i 17 Nëntorit.

Karriera me 17 Nëntorin

Në vitin 1980 u shpall kampion kombëtar në peshën +100 kg.

Në vitin 1981 u rendit i dyti në Kupën e Republikës dhe nuk mori pjesë në Kampionatin Kombëtar Individual.

Në vitin 1982 fitoi Kupën e Republikës dhe më pas u shpall kampion kombëtar.

Në vitin 1983 u rendit i pesti në Kupën e Republikës për shkak të një dëmtimi, i cili e pengoi të merrte pjesë edhe në Kampionatin Kombëtar Individual.

Në vitin 1984 fitoi Kupën e Republikës, u shpall kampion kombëtar dhe fitoi medaljen e artë në Spartakiadën e V-të Kombëtare, të zhvilluar në Shkodër.

Në vitin 1985 fitoi Kupën e Republikës dhe u shpall sërish kampion kombëtar.

Karriera si trajner

Në vitin 1987 filloi karrierën si trajner te Dinamo, me të cilën u shpall pesë herë kampion i Shqipërisë. Nga duart e tij kanë dalë shumë sportistë kampionë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e mundjes shqiptare.

Titujt individualë të Nikoll Grimajt

Me Vllazninë:

  • 4 herë kampion kombëtar (1973, 1975, 1976, 1978);
  • 4 herë fitues i Kupës së Republikës (1975, 1976, 1977, 1978);
  • Medalje argjendi në Spartakiadën Kombëtare (1974).

Me 17 Nëntorin:

  • 4 herë kampion kombëtar (1980, 1982, 1984, 1985);
  • 3 herë fitues i Kupës së Republikës (1982, 1984, 1985);
  • Medalje bronzi në Spartakiadën Kombëtare (1979);
  • Medalje ari në Spartakiadën Kombëtare (1984).

Në total:

  • 8 herë kampion kombëtar;
  • 7 herë fitues i Kupës së Republikës;
  • 1 medalje ari, 1 medalje argjendi dhe 1 medalje bronzi në Spartakiadat Kombëtare.

Vlerësimet ndër vite:

  • “Mjeshtër Sporti”;
  • “Mjeshtër i Merituar i Sportit”;
  • “Nderi i Mundjes Shqiptare”;
  • “Mundësi i Shekullit”, akorduar nga Bashkia Shkodër me rastin e 100-vjetorit të Sportklub Vllaznia;
  • Titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments