Falimentimi i Parmës në vitin 2015 vazhdon të jetë temë diskutimi edhe sot e kësaj ditë në Itali. Situata kaotike në ato vite duket e harruar nga fakti se klubi është kthyer përsëri në normalitet dhe elitë në Itali, por çështjet gjyqësore dhe kërkimi për fajtorin vazhdon. Në Itali, siç është bërë shpesh zakon në ngjarje të tjera, fajin ia kanë vënë edhe një herë shqiptarëve, këtë radhë edhe me vendim gjykate.
Ish-presidenti Tomaso Girardi, ka paditur në gjykatë civile Rezart Taçin, biznesmenin shqiptar i cili kishte për disa muaj në pronësi Parmën duke e marr pikërisht nga ai italian i cili i trashëgoi këtij klubi disa dhjetëra miliona euro borxhe.
Kompania “Dastraso Holding”, e cila mori nën pronësi Parmën, i përkiste biznesmenit shqiptar dhe kishte premtuar menjëherë ndaj debitorëve se do të shlyente detyrimet e Girardit. Por kjo nuk ndodhi dhe për gjykatën ishte e mjaftueshme për ta shpallur fajtore pas 5 vitesh këtë kompani dhe të kërkojë që ajo të shlyejë Girardin dhe bashkëpunëtorët e tij që paguan disa nga ato detyrime në momentin e e falimentit pasi ishin ende të lidhur nga kontratat.
Asnjë dënim direkt për Rezart Taçin, pasi pavarësisht faktit se ishte presidenti i kompanisë që mori në drejtim klubin, nuk kishte qenë pjesë aktive e saj, duke ia deleguar detyrat zyrtarëve që emëroi asokohe si për shembull 29-vjeçarin Ermir Kodra si president, derisa e shiti përsëri klubin.
Me pak fjalë, faji i të gjithë falimentimit në teori u ka shkuar zyrtarisht shqiptarëve, në një çështje e cila prej shumë vitesh është trumbetuar si shembulli konkret i keqmenaxhimit e tentativave të pastrimit të parave nëpërmjet futbollit. /vipsport/